English

Ku mbahet demokracia?

Nga Albin Kurti

Tri gjëra janë të rëndësishme për njeriun në këtë dynja: penda, buka dhe pushka. Nuk e mbaj mend nëse i pat thënë saktësisht me këtë renditje. Përgjatë 80 vjetëve të jetës së tij, plaku Ali Hoti, kishte qenë çoban e bujk. Nuk ishte i shkolluar por mendonte me zemër. Ka mundësi që ai ishte provokuar nga diskutimi i të tjerëve në tubimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe e mori fjalën. Ose, e kishte menduar qysh më parë që të vinte e t’i thoshte ato fjalë. Nuk e di, por edhe s’ka aq rëndësi. Motivet, shkaqet e arsyet janë të dorës së dytë në krahasim me kuptimin e asaj që Ali Hoti e tha. Pra, tri gjëra janë të rëndësishme për njeriun në këtë dynja: penda, buka dhe pushka.

Ali Hoti nuk e ka lexuar Ernest Gellnerin dhe as ndonjë teoricient tjetër. E, megjithatë, përputhja është fenomenale. Arsimi, ekonomia, ushtria – edhe kështu do të mund të lexoheshin ‘tri gjërat më të rëndësishme në këtë dynja’. Penda me të cilën shkruajmë simbolizon arsimin, buka vjen e sigurohet prej ekonomisë ndërsa pushka aludon ushtrinë. Pra, këto janë tri shtyllat e një shteti në shërbim të qytetarit, e një shteti si shtëpi e qytetarit. Ky trinitet pa dyshim se është organik dhe total. Një populli a kombi të paarsimuar ose me arsimim të dobët, ekonomia e ushtria ose s’i hyjnë gjë në punë, ose nuk i ka as ato, ose do t’i humbasë edhe nëse i ka. Një popull a komb pa ekonomi të zhvilluar, s’e mban dot arsimin dhe aq më pak ushtrinë. Dhe, një popull a komb pa ushtri, përkundër arsimit e ekonomisë, mund të ndjehet përherë i rrezikuar dhe disi vazhdimisht në ankth nga kërcënimi se do të mund të sulmohet e s’do të mund të mbrohet.

Të gjithë u trembën nga fjalia e plakut Ali atë ditë. Nuk u trembën ashtu siç tremben të frikësuarit por ashtu siç këndellen të fjeturit. Sallën ku po mbahej tubimi e përshkoi një drithërimë kolektive e të pranishmëve. Plaku Ali Hoti kishte përmendur diçka që i përmendi njerëzit. Ata menjëherë e hetuan të vërtetën në fjalinë e plakut dhe këtë fjali si vetë të vërtetën e situatës sonë. Të gjithë ia kishin ngulitur sytë atij dhe prisnin se çfarë tjetër do të thoshte ndonëse që të gjithë tashmë e kishin të qartë se ai i kishte thënë të gjitha. Plaku Ali nuk e zuri në gojë demokracinë. Po pra, plaku Ali nuk e përmendi demokracinë. Jo se ai nuk e donte atë dhe as pse e konsideronte si diçka të panevojshme. Mirëpo, dukej që ai po përpiqej të thoshte diçka që e besonte të jetë më thelbësore. Ose, së paku, diçka që nënçmohet pikërisht pse demokracia mbiçmohet.

Në institucione dhe në mediat kosovare demokracia gjithsesi është shprehja që më së shumti përdoret duke zënë hapsirën më të madhe kohore të ligjërimit politik e publik. Arsimi, ekonomia e ushtria, përkatësisht penda, buka e ushtria, sigurisht që e paguajnë çmimin për këtë. Demokracia si ide a koncept, si karakter sistemi ose procedurë e tij, demokracia edhe vetëm si fjalë goje, ka gllabëruar gjithë fushën e politikes. Hegjemonia e demokracisë bën të duket që politika përmbahet te demokracia dhe jo anasjelltas, se politika ngjan veçse përbrenda demokracisë. Kësisoj, ka politikë që cilësohet si demokratike dhe aso që sërish përkufizohet nëpërmjet demokracisë duke u quajtur jodemokratike, me ç’rast shkelja e tillë, dalja prej hapsirës së demokracisë, mund të jetë veçse e përkohshme dhe gjithsesi e dënueshme.

Në Kosovën e këtillë, demokracia që është gjithçka e asgjë njëkohësisht, përderisa s’kemi arsim, ekonomi e ushtri, e mbase pikërisht pse nuk i kemi këto, ka sajuar inflacion të jetës institucionale të politikanëve e deficit të asaj reale të qytetarëve. Kemi qeveri, president, parlament e gjithfarë institucionesh por arsimin dhe ekonominë i kemi përtokë ndërkaq ushtrinë s’e kemi fare. Ekonomia është pa fabrika prodhuese kurse universitetet janë bërë si fabrika që prodhojnë vetëm diploma; në vend të ushtrisë kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës që s’i afrohet policisë as për nga numri i trupave e as për nga pajisjet dhe mundësitë. Në anën tjetër: pafund mbledhje, ceremoni, takime protokollare e këmbim vizitash të politikanëve të të gjitha ngjyrave. Thënia e plakut Ali vjen si një intervenim i së vërtetës reale në një vend të kapluar nga koha e virtuales. Demokracia në Kosovë është bërë si kulmi i një shtëpie që s’ka themele për të qenë. Mbase, me pendë të dobët, me bukë të paktë dhe pa pushkë, demokracia s’ka se ku mbahet.

NOA

KOMENTE