English

Ne ia kemi nisë me lyp...!

“Dashurisë platonike” në mes të territoreve tona të ndara shqiptare me shekuj, po i vije fundi. Sepse, tashmë, ne ja kemi nisë me lyp!

Adnan Abrashi

“Ata mund t’i ndërrojnë ligjet dhe fetë, por racën tonë të përbashkët dhe gjuhën kurrë”, - ishte shprehur kështu dikur një dijetar i urtë i kohës. Pa dyshim, kjo maksimë e qëlluar, si më së miri mund t’i përshtatet edhe tematikës tonë aktuale që do ta trajtojmë në vijim.

Kohën e fundit, shumë po më inkurajon fakti se, në opinionin tonë mbarëkombëtar, me të madhe po zhvillohet një debat i haptë publik rreth bashkimit të mundshëm shqiptar. Edhe përpos kundërshtimeve të zjarrta në këtë drejtim“pro et contra”, realisht, faza e parë kah detabuizimi i shprehjes së lirë të kësaj dashurie tonë të ngulfatur platonike, po përmbushet me përpikëri. Kryesorja është se po flitet! Po flitet me të madhe kudo. Bile-bile me zë!

Dihet mirë se, jo vetëm në psikologjinë e komunikimit të zakonshëm ndër-njerëzorë, por edhe sipas ligjeve të urtësisë hyjnore, pa e lyp diçka me zemër, nuk ta jep as Zoti.

Në këtë drejtim, në Bibël, ta zëmë, ekziston një postulat shumë domethënës si porosi: “Lypni, do t'ju jepet; kërkoni dhe do ta gjeni; trokitni dhe do t'ju çelet! Sepse, kush lyp, i jepet, e, kush troket, i çelet”. Andaj, “dashurisë platonike” në mes të territoreve tona të ndara shqiptare me shekuj, po i vije fundi. Sepse, tashmë, ne ja kemi nisë me lyp!

“Lypni, do t'ju jepet, kërkoni dhe do ta gjeni...”

Dikur kur isha nxënës i shkollës së mesme, në gjeneratën tonë ka qenë edhe një vajzë e cila dallohej shumë për nga bukura nga të tjerat. Prej gjithë ne meshkujve, nuk kishte kush që nuk qe dashuruar marrëzisht në te. Dashuri, platonike, kuptohet.

Por, edhe pse ishte shume e adhuruar nga ne, gjatë 4 viteve sa ishim bashkë, ajo asnjëherë nuk pat ndonjë të dashur të vërtetë. Shkaku: sepse, aq sa ne ishim të magjepsur nga bukuria e saj e përsosur, njëkohësisht kishim edhe frikë, mosbesimi në vete dhe dyshim në realizueshmërinë kërkesës sonë, kështu që, asnjëri nga ne “donzhuanët” e gjeneratës, kurrë nuk kemi pasur guxim “t’ia lypim”, sikur thuhej në zhargonin tonë adoleshent.

Mu sikur nga shembulli i kësaj analogjie, ngjashëm veprohet sot edhe kur është fjala për Bashkimin Kombëtar të shqiptarëve. Duke menduar kolektivisht se “kjo është një kërkesë e pamundur”, “nuk na lejojnë ndërkombëtarët”, “nuk është ende koha e duhur”, “do të bashkohemi në Evropën e Bashkuar” ...etj., që ta shprehim dhe ta kërkojmë haptas këtë dëshirë, ne kishim instaluar në vete një mohim si bindje të fuqishme kolektive. Pra, që të na jepet, ne nuk kemi guxuar “me lyp”. Ama, tani e tutje, sigurisht më jo! “Dashurisë platonike” në mes të territoreve tona të ndara shqiptare me shekuj, po i vije fundi. Sepse tashmë ne ja kemi nisë me lyp!

Edhe në gjuhën diplomatike, pse jo haptazi Shqipëri Etnike?

Një herë, në një takim privat dhe shoqëror që kam pasur me një politikan të rangut të lartë të lidershipit kosovar, të cilit, për shkaqe të kuptueshme me këtë rast nuk do t’ia zbuloj identitetin e plotë, e pyeta si miku-mikun dhe pa dorëza: Pse politikanët tanë dhe mjaft sosh edhe nga viset tjera të trojeve shqiptare, në takimet diplomatike ndërkombëtare me delegacionet e shteteve të huaja, nuk kanë guxim që haptazi para tyre, ta shpalosin aspiratën tonë historike si popull: Bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet unik, bashkim ky, që patjetër dikur duhet të ndodhi në këto hapësira”? Ai, vetëm më shikoi me buzëqeshje dhe pa kurrfarë hamendje mu përgjigj shkurt dhe bindshëm: “Sepse, edhe pa ju thënë haptas atyre ne, ata e dinë mirë këtë realitet”! Pas kësaj përgjigje të sinqertë të mikut tim politikan, mes nesh, një kohë mbretëroi heshtje e nemitur e cila u thye përsëri nga po ai vetë: “Kur, para disa kohe, si anëtar i një delegacioni kosovar, pata nderin që zyrtarisht t’i bëjë një vizitë SHBA-së, gjatë një takim protokollar të mbajtur me disa kongresist, para nikoqirëve tanë të këtij rangu të lartë politik dhe shtetëror amerikan, ne në mes tjerash, me çdo argument tentonim që t’i kundërvihemi idesë së propaganduar të politikës serbe, se pas shpalljes dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës si shtet, shqiptarët më vonë do të kenë aspirata për krijimin e një “Shqipërie të madhe”. Menjëherë pas këtij termini të takimit tonë zyrtar, në një kotej rasti të organizuar nergut për ne, mu afrua një kongresist me nam dhe, pa një-pa dy, ma bëri një pyetje të papritur për momentin: “pse gjithnjë ju politikanët shqiptar po tentoni që me çdo kusht të na bindni se populli i juaj nuk e dëshironit bashkimin kombëtar, kur kjo realisht është një kërkesë e natyrshme dhe çdo diplomat i arsyeshëm e di mirë se një shkrirje e tillë duhet të ndodhi patjetër dikur?” Nuk ka fare dyshim se këso gafe edhe mund t’i falen lidershipit të ri dhe të papërvojë kosovar, i cili, gjithnjë para “kolosëve” të diplomacisë perfide ndërkombëtare, po tregon ndjesinë e theksuar të kompleksit të vlerës së ultë dhe inferioritetit të tepruar. Por, kurrsesi nuk i kuptoj deklaratat të pamatura, të pakuptimta, absurde dhe të panevojshme publike që kohën e fundit, me një intensitet të shpeshtuar, po i bëjnë disa përfaqësues të lartë politik të shtetit tonë amë -Shqipërisë.

Mbase, edhe kësaj po i vije fundi. Sepse, tashmë, ne vërtet ja kemi nisur me lyp!

KOMENTE