English

Në shkurret e "pranverës arabe"

Nga "Financial Times" Nëse e kalon kohën duke folur me zyrtarë perëndimorë mbi kryengritjen arabe, ka të ngjarë që të dëgjosh dy pikëpamje kundërthënëse - nganjëherë nga i njëjti person.

E para është se “pranvera arabe” është “gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë botës arabe”. Pikëpamja e dytë është se ky është momenti më i rrezikshëm në dekada për botën arabe.

Të njëjtit njerëz mund t’i besojnë të dyja gjërat në të njëjtën kohë, pasi që kjo është një përplasje e pikëpamjeve afatgjata dhe atyre afatshkurtra.

Në histori, ruajtja e status quo-s në botën arabe as nuk ka qenë e mundur e as e dëshirueshme. Ky ka qenë një rajon i pllakosur nga diktatura dhe varfëria.

Ka qenë pjesa e vetme e botës që nuk ka shënuar përparime domethënëse për demokracinë në 30 vjetët e kaluar, si dhe ka prodhuar prapambeturi dhe ideologji të dhunshme.

Edhe pse askush nuk do të dëshironte të ruante një gjë të tillë, kolapsi i botës arabe kërcënon të prodhojë luftëra, ndarje të shteteve dhe mundësi të reja për militantët islamikë.

Disponimi në Uashington është ngritur pas vrasjes së Osama bin Ladenit në Pakistan. Por, ndërsa hidhet një vështrim në Lindjen e Mesme, politikëbërësit perëndimorë mund të shohin arsye për t’u alarmuar edhe pas kësaj.

Duket absurde që amerikanët dhe evropianët brengosen për destabilizimin e Sirisë. Qeveria e Asadit është një diktaturë brutale, që ka punuar ngushtë me Iranin dhe ka luajtur një rol të rrezikshëm në Liban. I qoftë rruga e mbarë, apo jo?

Të huajt janë të vetëdijshëm se Siria është një shtet delikat, i ndarë në vija etnike. Një ministër i jashtëm evropian e quajti atë një “Jugosllavi të vogël”.

Konflikti i Libisë, ndërkohë, kërcënon të degjenerojë në një rrugë qorre. Ka nga ata që argumentojnë se ky është një përfundim i pranueshëm - sigurisht më i mirë sesa rreziku nga masakrat në Bengazi.

Por, tashmë mund të dëgjoni edhe një lloj “brejtjeje të ndërgjegjes” në mesin e zyrtarëve perëndimorë, ndërsa po e kuptojnë se Libia mund të japë goditje me pasoja të paparashikueshme.

Ndryshimet politike në Egjipt hapin mundësi të reja për militantizëm të dhunshëm. Pas rënies së presidentit Hosni Mubarak, shumë ish-terroristë janë liruar nga burgjet dhe ish-xhihadistët janë kthyer në shtet. Shërbimi shtetëror i sigurisë i Egjiptit është në rrëmujë.

Politika e jashtme e Egjiptit po ndryshon në atë formë, e cila duket e papërshtatshme për Perëndimin. Raportet e Egjiptit me Iranin janë afruar. Vëllazëria Myslimane, që duket të jetë partia më e madhe në Parlamentin e Egjiptit, thotë se do të shfuqizojë Traktatin e Paqes me Izraelin.

Qeveria e përkohshme e Egjiptit ka befasuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke negociuar një marrëveshje mes fraksioneve rivale palestineze, Hamasit dhe Fatahut.

Disa nga zyrtarët më të qetë perëndimorë e shohin këtë si një zhvillim pozitiv, meqë nuk mund të ketë marrëveshje të paqes në Lindjen e Mesme, pa një udhëheqje të bashkuar palestineze.

Arabia Saudite, që mbetet në qendër të politikës amerikane për siguri dhe energjetikë, është një shqetësim në rritje. Raportet amerikano-saudite janë përkeqësuar thellë që nga revolucioni i Egjiptit.

Sauditët akuzojnë amerikanët se e kanë tradhtuar Mubarakun dhe tash i shohin SHBA-të si kërcënim të mundshëm për regjimet e tyre. Ata i kanë paralajmëruar amerikanët se mund të kultivojnë një ‘raport special’ me Kinën, që tashmë është blerëse shumë më e madhe e naftës saudite, sesa SHBA-të.

Në plan afatgjatë, shumë qeveri perëndimore janë të bindura se “pranvera arabe” ishte një zhvillim historik dhe pozitiv. Por problemi, siç e thotë Keynes, është: “Në planin afatgjatë, edhe ne të gjithë do të kemi vdekur”.

Pas bin Ladenit, synohet Mullah Omari

Pas vdekjes së Osama bin Ladenit, vendimmarrësit në Uashington po shqyrtojnë mundësitë se si t’ia bëjnë me aleatin më të shquar të tij, liderin e talibanëve, Mullah Omar. Derisa udhëheqësia kryesore civile në Uashington e sheh mundësinë që t’i sjellë talibanët në tavolinën e bisedimeve, zyrtarët e sigurisë po e shqyrtojnë mundësinë e një operacioni ushtarak kundër liderit të këtij grupi. Senatori Karl Levin, udhëheqësi i Komitetit të Senatit për Forcat e Armatosura, derisa fliste për një televizion amerikan, shprehu bindjen e tij se Pakistani e di se ku është lideri i talibanëve, njëjtë siç e ka ditur se brenda territorit pakistanez ka qëndruar dhe kryeterroristi botëror, Osama bin Laden.

“Qeveria në Pakistan, zyrtarët e lartë të saj do të vazhdojnë të thonë se ata nuk e kanë ditur se bin Ladeni ka qëndruar atje. Vështirë që mund të besohet se zyrtarët e lartë nuk e kanë ditur. Ata do të vazhdojnë ta thonë këtë, mirëpo ajo që ata nuk do ta thonë është se nuk e dinë se ku gjenden terroristët Hakani, pasi ata kanë dijeni për praninë e tyre”.

“Kështu na kanë thënë neve, se e dinë ku gjenden, ndërsa kur i pyesim se pse nuk bëjnë asgjë, justifikimi i tyre është se ata do të bëjnë diçka edhe rreth tyre. Vit pas viti na thonë që do të bëjnë diçka kundër hakanëve, mirëpo në fakt nuk bëjnë asgjë. Kjo është çështja për të cilën duhet t’i bëhet presion Qeverisë në Pakistan”, deklaroi senatori Levin.

Në të njëjtën kohë, derisa senatori Levin shpreh shqetësimin e tij rreth Qeverisë në Islamabad, një nga gjeneralët e ushtrisë amerikane, Riçard Mills, ka lënë të kuptojë për mundësinë e një hapi të ardhshëm të ushtrisë amerikane.

“Nëse unë do të isha Mullah Omar, sinqerisht do të isha i shqetësuar”, tha gjenerali Mills. Sipas tij, vrasja e bin Ladenit tregon se amerikanët janë të fokusuar.

Gazetari pakistanez, Rahimullah Jusufzai, që u bë i famshëm me intervistat e tij me Osama bin Ladenin dhe njohuritë rreth çështjeve të brendshme të talibanëve, tha se është e mundshme që caku i ardhshëm në listën e të kërkuarve të amerikanëve, të jetë Mullah Omar.

“Amerikanët mendojnë, ashtu siç e dëgjuam edhe nga presidenti Obama, se ata mund të nisin një sulm të njëjtë nëse arrijnë të marrin informacione sekrete rreth një personi të rëndësishëm, që paraqet një cak me vlerë të madhe. Unë mendoj se Mullah Omar është një nga caqet me vlerë të madhe“, u shpreh gazetari Jusufzai.

Ishte përkrahja që Omar i dha liderit të Al Kaidës, Osam bin Laden, ajo që e nxiti Amerikën të largojë nga pushteti qeverinë e talibanëve në Kabul, në vitin 2001. Tani, ai besohet se nga qyteti pakistanez, Keta, po udhëheq kryengritjen e talibanëve.

Disa analistë në Uashington, megjithatë, besojnë se lideri i talibanëve është i vendosur në qytetin port të Karaçit.

Mirëpo, disa zyrtarë të lartë civilë të Uashingtonit po lënë të kuptohet se mundësia që është krijuar nga vdekja e bin Ladenit, duhet të shfrytëzohet për t’iu bërë ofertë politike kryengritësve.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se tash është koha kur duhet të vazhdohet tutje me diplomaci. Analisti Xhoshua Foust ka këtë mendim:

“Ka pasur një ndryshim në deklarime që prej vdekjes së bin Ladenit. Ende nuk e di se çfarë synohet me këtë, mirëpo është e mundshme që administrata e Obamës po tërhiqet nga opsioni ushtarak dhe po kërkon një zgjidhje më politike. E, nëse ndodh kështu, atëherë ka më shumë kuptim nëse nuk kërkon pas Omarit”.

Megjithëse së fundi nuk është dëgjuar fare prej Mullah Omarit, gazetari Jusufzai beson se talibanët nuk bëjnë asnjë veprim pa aprovimin e tij.

“Ndoshta ai ka shumë zëvendës, shumë komandantë që e bëjnë punën në terren, që i realizojnë planet dhe çfarëdo tjetër, por unë mendoj se ai është inspirimi. Ai është lideri kryesor. Besoj se talibanët nuk do të marrin asnjë vendim rreth ndonjë sulmi në Afganistan apo rreth bisedimeve për paqe apo pajtim, pa kaluar si vendime përmes tij fillimisht”, tha Jusufzai.

Një faktor tjetër është edhe reagimi i Pakistanit ndaj një tjetër operacioni ushtarak unilateral në këtë shtet. Gjatë një takimi të komandantëve të ushtrisë pakistaneze, gjenerali Ashfak Parvez Kajani ka thënë se një sulm tjetër - i njëjtë si ai që vrau bin Ladenin - do ta nxiste këtë vend të rishikojë bashkëpunimin me SHBA-të. Mundësinë që marrëdhëniet - edhe ashtu jo pak të goditura së fundmi në mes të SHBA-ve dhe Pakistanit - të keqësohen, e beson edhe gazetari pakistanez, Jusufzai.

Mbetet çështje e hapur nëse do të shkohet drejt një marrëveshjeje paqësore me talibanët, pasi një gjë e tillë kundërshtohet ashpër në Afganistan.

Paqartësia që ekziston momentalisht në Uashington, për analistët paraqet rrezik që Uashingtoni të mos e shfrytëzojë në tërësi këtë moment historik. /rfe/

KOMENTE