Tiranë, 12 maj, NOA – Pas akuzave të bëra nga deputeti i PS, Edio Braçe, për bllokim të numërimit nga ana e PD, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, tha se nuk ka patur as edhe një bllokim të procesit të numërimit nga ana e maxhorancës në KZAZ-të e Tiranës.
“Partia Socialiste pretendon se numëruesit e PD-së dhe të LSI-së janë larguar nga vendi i tyre i numërimit në KZAZ-në nr. 49 që i përket njësisë bashkiake numër 5 në Tiranë. PD i bënë me dije të gjithë opinionit publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë që nuk ka patur as edhe një bllokim të procesit të numërimit nga ana e numëruesve të PD-së, jo vetëm në njësinë nr.5 në kryeqytet, por as edhe në ndonjë njësi tjetër të Tiranës", tha zëdhënësja e PD-së.
Ajo u shpreh se është plotësisht e verifikueshme që numëruesit si dhe vëzhguesit e PD-së janë tërësisht në vendin e tyre të punës, “duke përmbushur kështu detyrën e tyre ligjore dhe qytetare".
a.k/NOA