Tiranë, 12 maj 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama, në daljen e parë për mediat të ditës së sotme prezantoi kryetarin e ri të bashkisë Krumë, në rrethin e Hasit.
Sipas Ramës, fitorja e tij bëri që bashkia e Krumës, të kalojë në duart e një qeverisje më të denjë, pas vite dështimesh të qeverisjes së Saliut të vogël atje.
Në vijim ai komplimenti të rizgjedhurin për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako, i cili tha ai, realizoi një fitore që shumë pak ishin ata që e besonin se do ishte e këtyre përmasave.
“Dëshiroj të shprehë mirënjohjen për të gjithë ata që me shqetësim ndjekin atë që po ndodh në Tiranë dhe dëshiroj të rinënvizoj se fitoren tonë nuk e luan topi në Tiranë. Do të kemi një rezultat të pazakontë, pra të ngushtë por kjo është padyshim fitorja më e bukur ndër të katërta, sepse është fitorja e qytetarëve që mohuan një skenar të mos leximit të vullnetit qytetar. Ne kërkojnë numërimin deri në fund, pa ndërprerje të panevojshme. Përsëris apelin tim për uniformat blu, që të mos ngatërrojë për asnjë çast ngjyrën blu të uniformës së shtetit me ngjyrën blu të flamurit të partisë, që më 8 maj ka marrë nga shteti atë që ka merituar”, u shpreh lideri i së majtës.
Më tej ai falënderoi ambasadorin e SHBA dhe atë të Mbretërisë së Hollandës, së bashku me ambasadorin e BE, dhe shefin e misionit të ODHIR të cilët sipas tij kanë treguar një gatishmëri mbresëlënëse për ti ndenjur pranë qytetarëve në një proces të tensionuar, duke ofruar sipas tij më shumë qetësi, për të mos lejuar që procesi të vështirësohet.
Kandidati për kryebashkiak të kryeqytetit u shpreh se, vota e hedhur në kuti, do dalë dhe do lexohet ashtu sikurse është hedhur duke bërë që të vuloset fitorja e “Aleancës për të ardhmen” në Tiranë.
Në përfundim Rama bëri apel për ndërkombëtarët e akredituar, që të bëjnë të mundur që procesi të shkojë përpara dhe duke bërë që nga nesër të thuhet fjala fitore, bazuar në rezultatin e zbardhur në procesverbalin përfundimtar.
a.y/NOA