SHBA, 13 maj, NOA - Përfaqësues të Këshillit Kombëtar Kalimtar të Libisë do të vizitojnë sot Shtëpinë e Bardhë. Përfaqësuesit e kryengritësve libianë do të zhvillojnë bisedime me këshilltarin e presidentit për sigurimin kombëtar, Tom Donilon.
Në deklaratën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Këshilltari i Sigurimit Kombëtar Tom Donilon do të takohet sot pasdite me Dr. Mahmud Xhibril, i cili kryeson një delegacion të Këshillit Kombëtar Kalimtar.
Nuk dihet ende nëse Presidenti Barak Obama do të jetë i pranishëm në këtë takim , megjithëse zëdhënësi, Xhej Karni la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së tij kur tha se nuk e kishte të sigurt nëse do të merrnin pjesë edhe zyrtarë të tjerë në takim.
Zëdhënësi Karni tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë këshillin një përfaqësues të besueshëm dhe legjitim të popullit libian dhe opozitës së udhëheqësit Moamar Gadafi, por theksoi se Uashingtoni beson se është ende herët për njohje zyrtare të këshillit nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë Britania ftoi këtë javë opozitën libiane të hapte një zyrë në Londër, një vendim që u bë publik nga kryeministri Dejvid Kameron pas takimit që zhvilloi me kreun e Këshillit Kombëtar Kalimtar. Delegacioni i kryengritësve libianë që ndodhet për vizitë në Uashington u takua me senatorin, Xhon Keri, kryetar i Komisionit të Sentit për Marrëdhënie me Jashtë. Në fjalën e tij senatori Keri theksoi se po harton një projekt-ligj që do t`u jepte mundësi kryengritëse të shfrytëzonin pasuritë e ngrira të udhëheqësit libian Moamar Gadafi, pasi këto pasuri t`i transferoheshin Këshillit Kalimtar.
NOA