Tiranë, 13 maj 2011, NOA- Zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj, reagoi menjëherë pas deklaratës së deputetit socialist Erion Braçe.
Gjatë fjalës së mbajtur ajo tha se, Partia Demokratike falenderon sërish numëruesit e vëzhguesit e saj, veçanërisht duke pasur parasysh presionin dhe kërcënimet që po ushtrohen ndaj tyre orët e fundit nga PS.
Në emër të Partisë Demokratike ajo i ftoi komisionerët të vazhdojnë detyrën e tyre në mbështetje të ligjit dhe kodit zgjedhor.
“Edi Rama duhet të kurojë panikun e humbjes me qetësues, dhe jo duke kërcënuar e ofenduar numëruesit, vëzhguesit e drejtuesit e Partisë Demokratike, në një përpjekje të qartë, për të njollosur demokracinë. Kërcënimet, presionet dhe retorika e rrugës, janë tiparet e vërteta të atyre qe humbasin arsyen dhe logjikën. Ato nuk ulin tensionin apo përshpejtojnë procesin, përkundrazi e ngadalësojnë atë dhe tensionojnë situatën”, deklaroi Mustafaraj.
Sakaq ajo shtoi se numëruesit demokratë janë emëruar në përputhje me ligjin, në kundërshtim me ata socialistë, të cilët sipas saj janë punonjës të bashkisë.
Sipas saj, numërimi në KZAZ nr 49, që i përket minibashkisë 5, ka vazhduar normalisht gjatë ditës së sotme, ku brenda 5 orësh janë numëruar 6 kuti dhe janë në proces edhe 2 të tjera.
Mustafaraj theksoi gjithashtu se numërimi i votave po bëhet transparent dhe se, çdo votë po lexohet nga dhjetëra vëzhgues dhe po projektohet edhe në sytë e publikut.
Ajo shtoi gjithashtu se Partia Demokratike nuk ka ndërmend t’u bëjë thirrje qytetarëve të rrethojnë qendrat e numërimit, duke theksuar se nga ana e demokratëve nuk do të shkaktohet asnjë vonesë në procesin e numërimit.
Në përfundim Mustafaraj tha se, “Do të bëjmë gjithçka, që leximi i zërit të qytetarëve, të vijojë, sa më i shpejtë, transparent, i saktë dhe i ndershëm. Këto zgjedhje, janë të lira, të ndershme dhe transparente dhe çdo tentativë e Ramës dhe Braçes, për ti njollosur ato do të dështojë”.
a.y/NOA