Prishtinë, 13 maj 2011, NOA- Edita Tahiri në rolin e zëvendës Kryeministres së Kosovës gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Shoqatave për persona të zhdukur.
Sipas Tahirit procesi për të pagjeturit do të hasen sfida, dhe për këtë çështje tha ajo ka pasur një dialog të gjatë midis komisioneve shtetërore të Kosovës dhe atyre të Serbisë.
“Arsyeja përse kemi insistuar që kjo çështje të shtrohet në kuadër të dialogut teknik ndërshtetëror është se roli i BE-së si ndërmjetësues mund të japë rezultate, duke qenë se të dy shtetet edhe Kosova edhe Serbia, synojnë integrimet në BE”, u shpreh Tahiri.
Më tej ajo shtoi se, për sa i përket çështjes së të pagjeturve, ka pasur rezultate, por nuk është zbardhur e vërteta asnjëherë.
Ndërsa, Pajazit Nushi, i cili do të kryesojë grupin teknik për çështje të pagjeturve në bisedimet e radhës Kosovë-Serbi, ka shprehur gatishmërinë e grupit që kryeson, se do të bëjë maksimumin që procesi për personat e pagjetur të përfundojë sa më shpejt.
Në bisedimet e radhës që do të mbahen mes Kosovës dhe Serbisë më 17 dhe 18 maj në Bruksel, çështje kyçe e dialogut do të jetë çështja e personave të zhdukur gjatë luftës.
a.y/NOA