Tiranë, 13 maj 2011, NOA- Kreu i shtetit Bamir Topi gjatë ditës së sotme priti në një takim, një delegacion parlamentar të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm në fusha të rëndësishme, sidomos atë ndërparlamentar, dhe shprehu besimin se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Vendeve të Ulëta do të rriten e thellohen edhe më tej.
Më tej ai vlerësoi edhe rolin e Vendeve të Ulëta, në procesin e integrimit të Shqipërisë, dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Një vend të rëndësishëm gjatë takimit iu kushtua edhe procesit zgjedhor të 8 majit, duke theksuar, “Rëndësinë e përmbylljes sa më të shpejtë dhe korrekte të procesit të numërimit të votave që pasqyrojnë shprehjen e qartë të vullnetit të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet vendore të 8 majit, në mënyrë që Shqipëria të hedhë edhe një hap tjetër përpara drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian.”
Nga ana e delegacionit parlamentar të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta u vlerësuan përparimet e vendit tonë duke shprehur njëkohësisht përkrahjen dhe mbështetjen për përpjekjet integruese të Shqipërisë në familjen Europiane.
Gjithashtu, delegacioni parlamentar holandez vlerësoi lart rolin pozitiv dhe moderator të Shqipërisë në rajon në favor të paqes dhe qëndrueshmërisë së tij afatgjatë me synimin e integrimit të plotë të gjitha vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian.
Mësohet se në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori holandez në vendin tonë, zoti Henk Van Den Dool.
a.y/NOA