Tiranë, 13 maj 2011, NOA – Deputeti socialist Erion Braçe denoncoi kryeministrin Sali Berisha dhe kandidatin Lulzim Basha se po bllokojnë procesin e numërimit të votave në njësinë bashkiake nr. 5. Deputeti Braçe e cilësoi një akt skandaloz e të papranueshëm numërimin nga mëngjesi deri në orën 15.00 të vetëm tri kutive për kandidatët për kryetar bashkie në minibashkinë 5 në kryeqytet, ku siç tha tregohet trendi në rritje i Edi Ramës ndaj rivalit humbës Lulzim Basha.
Braçe theksoi se ky bllokim po rrit tensionin si brenda KZAZ-së nr. 49, por edhe tensionin popullor jashtë saj.
“I kërkoj Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, kandidatit të tij humbës, t’i japin fund këtij bllokimi të numërimit të votave, sa janë ende në kohë”, bëri thirrje deputeti socialist.
Ai bëri me dije se procesi i numërimit ka marrë një ritëm tjetër, pasi në qendrën e numërimit po kontestohen me forcë fletët e votimit nga lloj lloj rrugeçërish.
Ai i bëri thirrje ministrit Genc Ruli dhe këshilltares ekonomike të kryeministrit Suzana Guxholli që janë stacionuar në minibashkinë nr. 5, që të heqin dorë nga kontestimi i votave.
“Është e patolerueshme që çdo pesë minuta kontestojnë votat që haptasi vërtetojnë votën e zgjedhësve. Është e patolerueshme, që dy njerëzit më të famshëm të Fakultetit të Ekonomisë, Genc Ruli dhe Suzana Guxholli të kontestojnë procesin e numërimit në këtë njësi, pasi durimi i njerëzve ka një kufi”, tha Braçe.
Duke iu referuar faktit se PD vendosi sot pesë numërues të rinj në këtë njësi numërimi, deputeti socialist deklaroi se nuk mundet që vota e qytetarëve të lexohet nga njerëz me precedentë penalë.
Braçe i kërkoi këtyre numëruesve dhe vëzhguesve të PD-së ta ndërpresin skemën e ndyrë të kontestimit të votave, duke cënuar rëndë dinjitetin e çdo qytetari të Tiranës.
“Sado ta zgjasin procesin, sado presion të bëjnë, trendi i votave nga kutitë e votimit thellon fitoren e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste edhe në njësinë nr. 5”, deklaroi deputeti Erion Braçe, duke paralajmëruar se procesi i numërimit të votave do të përfundojë shumë shumë shpejt dhe me atë rezultat që ka vendosur sovrani në kuti.
mit/NOA