Pakistan, 13 maj, NOA - Në një atentat të dyfishtë në veriperëndim të Pakistanit janë vrarë të paktën 70 vetë dhe janë plagosur më shumë se 100. Sipas të dhënave të autoriteteve, një qendër stërvitore e policisë kufitare u trondit nga dy shpërthime kur rekrutët po largoheshin nga territori i saj.
Atentati më i rëndë këtë vit në Pakistan ndodhi në rajonin Charsadda në veri të kryeqytetit të provincës Peshavar. Përgjegjësinë për aktin e morën talibanët radikalë islamikë. Një zëdhënës paralajmëroi në të njëjtën kohë sulme të tjera në Pakistan dhe Afganistan për t'u hakmarrë kësisoj për vrasjen e shefit të Al Kaidës Osama bin Laden nga një komando speciale amerikane.
NOA/DV