English

Viza dhe izolim politikanëve që plaçkitin popullin!

Bardhyl Mahmuti

Bashkimi Demokratik Shqiptar ka theksuar vazhdimisht se është e domosdoshme që institucionet e demokracive perëndimore të kushtëzojnë mbështetjen e Maqedonisë në integrimet euro-atlantike me heqjen e të gjitha formave të diskriminimin që ky shtet aplikon ndaj shqiptarëve.

Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë me arsyetim se gjoja ky shtet “ka plotësuar kushtet në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” nxori në shesh krimin politik, ekonomik dhe kulturor të Maqedonisë ndaj shqiptarëve që përbëjnë më shumë se 1/3 e popullsisë së përgjithshme të këtij shteti.

Efektet bombë të fazës së parë të spastrimit etnik modern (e që ende vazhdon) nxorën në shesh realitetin tragjik në të cilin jetojnë shqiptarët në Maqedoni dhe faktin se ky shtet është larg standardeve të demokracive perëndimore dhe funksionon në kundërshtim të plotë me vlerat euro-amerikane.

Ballafaqimi i shteteve të Evropës perëndimore me numrin e lartë të azil-kërkuesve i ka detyruar Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Ministrave të rishqyrtojnë validitetin e vendimit për heqjen e vizave për qytetarët e Maqedonisë.

Fatkeqësisht, në debatet rreth kësaj teme shigjetat drejtohen kundër viktimave e jo kundër atyre që kanë mbjellur varfëri të skajshme të popullatës, papunësi marramendëse dhe diskriminim racial.

Për Bashkimi Demokratik Shqiptar, azil-kërkuesit janë viktima dhe çdo vendim kundër tyre do t’i sjell në situatë të viktimizimit të dyfishtë!

Nëse ndaj dikujt duhet aplikuar vizat dhe izolimi, atëherë janë pikërisht politikanët e implikuar në plaçkitjen e pasurive të popullit që duhet t’i bartin pasojat dhe sanksionet.

Bashkimi Demokratik Shqiptar, rikujton bartësit e institucioneve të BE-së se diskriminim etnik dhe rajonal që përjetojnë shqiptarët në Maqedoni e konstatuan edhe eurodeputetët e parlamentit Evropian, të cilët që në vitin 2007, përmes rezolutës së 12 korrikut, i rekomanduan Maqedonisë që të ndërmarrë hapat e domosdoshme në elaborimin e politikave që do të hiqnin këtë diskriminim.

Pa heqjen e të gjitha formave të diskriminimit, shqiptarët e Maqedonisë rrezikohen të shndërrohen në popull apatrid! Pra të shndërrohen në persona që asnjë shtet nuk i konsideron si qytetarë të vet!

Vetëm heqja e diskriminimit dhe investimet për të hequr dallimet në zhvillim mund të krijojnë parakushtet që edhe shqiptarët e Maqedonisë të lëvizin lirshëm në Evropën perëndimore dhe shtetet tjera të demokracive në përputhje me kriteret e Marrëveshjes së Shengenit!

KOMENTE