Tiranë, 14 maj 2011, NOA – Nga hyrja e selisë blu, ku ishin mbledhur dhjetëra e dhjetëra simpatizantë të Partisë Demokratike kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha doli në të parin deklarim pas përfundimit të procesit të numërimit, ku deklaroi se këto zgjedhje janë të ndershme dhe të lira, dhe se cilido të jetë verdikti final, ai do ta pranojë.
“Këto zgjedhje janë të ndershme dhe të lira, por kjo është një garë shumë e ngushtë, dhe cilido që të jetë verdikti final i votuesve unë do ta pranoj atë. Shpresoj që edhe zoti Rama ta bëjë këtë”, deklaroi Basha.
"Ne kemi nevojë të ecim përpara", tha Basha, duke paralajmëruar se në rast se verdikti final do të shpallë fitues Edi Ramën ai do ta urojë atë si kryebashkiakun e ri.
Por, këtu Basha kërkoi që edhe Rama të bëjë të njëjtën gjë, pra të pranojë rezultatin, edhe nëse nuk është në favor të tij.
Basha ftoi edhe qytetarët që të presin qetësisht rezultatin zyrtar të këtyre zgjedhjeve.
Kandidati demokrat falenderoi familjen e tij gruan, Aurela dhe vajzën Dafina, për kujdesin e tyre gjatë kësaj periudhe.
Një falenderim të veçantë ai e bëri për stafin e fushatës, bashkëpunëtorët, si dhe kryetarin e Partisë Demokratike, kryeministrin Sali Berisha për mbështetjen e tij, por edhe për Partinë Demokratike.
Basha falenderoi edhe të gjithë simpatizantët dhe partnerët e koalicionit për mbështetjen e tyre, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit, si dhe vëzhguesit e vendeve mike, të cilët ndihmuan sikundër tha, për ta bërë këtë proces të ndershëm e të lirë.
“Dua të falënderoj qytetarët e Tiranës që morën kohë për të biseduar me mua. Ju më dhatë mbështetjen më të çmuar, votën tuaj, dhe zemrën tuaj. Fale jush kjo ishte një fushatë e lumtur”, deklaroi Basha.
Duke folur për fushatën e tij ai nënvizoi se “Ne e vumë atë në funksion të së ardhmes dhe jo të shkuarës, ne parashtruam idenë e përgjegjshmërisë para qytetarëve, idenë se çdo qeverisje duhet të japë llogari përpara jush. Kjo fushatë ka ofruar një model të ri për qytetin tonë dhe për Shqipërinë”, tha më tej kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha.
mit/NOA