Bruksel, 14 maj, NOA - Komisioneri i BE-së për zgjerimin Stefan Fule u shpreh për televizionin privat serb “B92” se gjatë vizitës së tij të ardhshme në Serbi, do ta paralajmërojë atë se koha po mbaron dhe se vendi duhet të përshpejtojë reformat e nevojshme për marrjen e statusit të kandidatit.
Fule dhe presidenti i Komisionit të BE-së Jose Manuel Barroso, do të vizitojnë Serbinë javën e ardhshme si pjesë e një turi ballkanik. Vizita zhvillohet pak muaj përpara se Komisioni i BE-së, të raportojë nëse Serbia ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Ndër kushtet kryesore që Serbia duhet të përmbushë Fule, veçoi arritjen e një rezultati konkret në bisedimet Prishtinë-Beograd, të cilat po zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së. Veç kësaj kusht i rëndësishëm është një raport pozitiv i kryeprokurorit të gjykatës për krime lufte, Serge Brammertz, për përpjekjet e Beogradit në arrestimin e dy të akuzuarve për krime lufte, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç.
NOA/DV