English

Berisha: Ftoj kandidatët që të presim vendimin e KQZ

Tiranë, 14 maj 2011, NOA- Në një dalje të pak minutave më parë për përfundimin e numërimit të votave, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kjo garë u ndoq me interes maksimal dhe se ka përfunduar në një ngushticë të paimagjinueshme.

Më tej ai shtoi se sipas databazës të Partisë Demokratike zoti Basha është fitimtar me pak vota dhe sipas databazës së selisë rozë zoti Rama është fitimtar me pak vota.

Ai u bëri thirrje të gjithë militantëve të PD-së dhe të gjitha forcave politike, të presin me interes dhe me qytetari të vërtetë finalizimin e procesit, pasi shtoi ai në çdo vend të botës një proces i cili shkon me një numër kaq të ulët votash, ka një predispozitë për tu rishqyrtuar nga qeliza në qelizë.

“KQZ është e detyruar të përllogarisë dhe të shpall vetëm atë rezultat që konfronton një për një të dhënat e procesverbaleve të fletave të votimit me të dhënat e tabelave të zonave. Janë të dhënat e qendrave të votimit ato që mbisundojnë nëse ka diskordancë.

Unë duke përshëndetur të gjithë komisionerët për punën e bërë do të vlerësoja shumë një kontroll të emocioneve, në të gjitha palët. Të presim fjalën finale të KQZ, përshëndes të gjithë numëruesit komisionerët, përfaqësitë diplomatike që e ndoqën këtë proces me aq vëmendje dhe përkushtim. Ftoj edhe kandidatët që të pranojnë këtë qëndrim si qëndrimin më në interes të secilit prej tyre, unë pres atë që do shpallë në mënyrë përfundimtare KQZ, mbi bazën e të dhënave të votimit”, dekaroi kryeministri Bersha.

Në përfundim ai theksoi se ankesat e partive do i drejtohen sistemit të animimit.

a.y/NOA

KOMENTE