English

Edi Rama: Ëndrra vazhdon, fitorja më e madhe në oborrin e PS

Tiranë, 14 maj 2011, NOA –Mes një entuziasmi të ndezur të simpatizantëve të Partisë Socialiste që kanë vërshuar në selinë rozë, lideri i opozitës dhe kandidati për kryetar bashkie për të katërtin mandat në Tiranë, Edi Rama deklaroi se ëndrra vazhdon.

“Për mua ishin vetëm 10 vota, për të gjithë ata që luftuan me mua ishte nota 10”, deklaroi Rama mes ovacionesh dhe flamujve rozë të PS-së.

Ai theksoi se ishte pikërisht fuqia e kësaj ëndrre për vazhdimin e qeverisjes së Tiranës që sipas tij u dha fitoren në një betejë tërësisht të pabarabartë dhe përballë një fuqie të stërmadhe.

Shefi i selisë rozë tha se fuqia e njerëzve për të votuar “Aleancën për të Ardhmen” u provua edhe më e madhe se gjithë fuqia e pushtetit të frikës, parasë e manipulimit.

Rama theksoi se kjo nuk është fitorja e tij e parë, porse sipas tij, më shumë se asnjëherë më parë, kjo është një fitore e të gjithëve.

Rama falenderoi sakaq të gjithë ata qytetarë që e votuan, por edhe ata që sipas tij nuk e votuan për ta sprovuar.

Ai tha se duke nisur nga Tirana ka fituar çdokush që votoi “Aleancën për të Ardhmen”, por sipas tij nuk kanë humbur as ata që nuk e votuan.

Ai ia dedikoi këtë fitore familjes së tij, nënës, gruas dhe fëmijëve.

Në këtë ditë të shënuar ai dërgoi një përqafim nga larg për jetimët e 21 janarit.

Më tej, kryesocialisti Rama i falenderoi të gjithë për këtë fitore historike, që më shumë se kurrë e bën Shqipërinë të të gjithëve, dhe kurrë më, vetëm të disave.

Këtu lideri socialist dhe kryebashkiaku ende i pashpallur i Tiranës, u dërgoi për falënderim të përzemërt edhe të gjithë përfaqësuesve të ndërkombëtarë në Shqipëri, posaçërisht ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, atij të BE-së Ettore Sequi, atij të OSBE-së Eugen Ëollfarth, të Mbretërisë së Hollandës Van der Dol, misionin e vëzhguesve të OSBE-ODHIR-it, që sikundër tha Rama vëzhguan pa rreshtur procesin e numërimit në mbrojtje të votës së qytetarëve pa dallim.

“Kjo fitore është burim reflektimi për mua. Sot është dita për të festuar. Nesër është dita për të vazhduar me falenderime dhe reflektuar, për këtë fitore që kurrë s’ka ardhur më e madhe në oborrin e Partisë Socialiste. Falënderoj ata që luftuan me mua”, përfundoi deklaratën e tij Edi Rama.

Kjo deklaratë e liderit të opozitës Edi Rama erdhi fill dy orë më vonë se ajo e liderit demokrat, njëherësh kryeministri Sali Berisha.

mit/NOA

KOMENTE