Tiranë, 14 maj 2011, NOA - ...Sot është dita për të festuar, duke e ndarë gëzimin me çdo qytetar të zakonshëm të këtij vendi ka votuar ose jo për ne. Nesër është dita për të vazhduar falenderimet dhe reflektimet mbi fitoren që kurrë s'ka ardhur më e
madhe në oborrin e Partisë Socialiste. Ëndrra vazhdon....
Edi Rama
Ëndrra vazhdon. Fuqia e ëndrrës që na frymëzoi në këtë betejë tërësisht të
pabarabartë u provuar më e madhe se e gjithë stërfuqia që na u vu përballë.
Fuqia e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi u provuar më e madhe se e
gjithë stërfuqia e pushtetit të frikës, parasë, manipulimit. Fuqia e
Aleancës sonë për të Ardhmen u provua më e madhe se e gjithë stërfuqia që
bashkoi kundër nesh çdo forcë të së shkuarës.
Kjo nuk është fitorja ime e parë, por më shumë se asnjëherë më parë fitorja
është një burim reflektimi për mua, që sot si asnjëherë ndjej peshën e
borxhit ndaj çdo shqiptari, që besoi tek kandidatët tanë duke i votuar dhe
po njësoj edhe ndaj çdo qytetari këtu në Tiranë që nuk më votoj duke më
sprovuar.
U them pa dallim të gjithëve, anë e mbanë Shqipërisë duke filluar
nga Tirana, se çdo zgjedhës i yni, i imi ka fituar dhe asnjë zgjedhës që nuk na
ka votuar, nuk ka humbur.
Lejomëni t'ia kushtoj këtë fitore familjes sime të mrekullueshme. Nënës
sime, gruas sime, dy fëmijëve, ashtu si çdo familje të zakonshme të këtij
vendi që sot vuan, shpreson, ëndërron, pavarësisht se nga vjen, ku beson,
për kë voton.
Lejomëni po ashtu të përqafoj nga larg, kështu siç më vjen,
jetimët e 21 janarit. S'kam fjalë, nuk gjej dot fjalë, por do të duhej edhe
një kohë pambarimisht e gjatë për të falënderuar të gjithë ata që luftuan
bashkë me mua dhe fituan edhe për mua. Këtë betejë historike për një
Shqipëri që sot është më shumë se kurrë e të gjithëve dhe kurrë më nuk mund
të jetë vetëm e disave.
Ju them të gjithëve përulësisht ju dua me gjithë fuqinë e zemrës
faleminderit, faleminderit, faleminderit. Për mua ishin vetëm 10 vota, për
të gjithë ata që luftuan me mua ishte nota 10. Faleminderit me zemër edhe në
emrin tuaj përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri,
posaçërisht ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Ambasadorit të Bashkimit
Europian, Ambasadorit të Mbretërisë së Holandës, ambasadorëve të tjerë, si
edhe misionit të ODHIR-it që i qëndruan pranë Shqipërisë, në një udhëkryq
jashtëzakonisht të vështirë duke ndikuar me praninë e tyre të
pazëvendësueshme gjatë numërimit në mbrojtjen e votës së qytetarëve
pa dallim.
Sot është dita për të festuar, duke e ndarë gëzimin me çdo qytetar të
zakonshëm të këtij vendi ka votuar ose jo për ne. Nesër është dita për të
vazhduar falënderimet dhe reflektimet mbi fitoren që kurrë s'ka ardhur më e
madhe në oborrin e Partisë Socialiste. Ëndrra vazhdon...
*Deklarata e plotë e liderit të Partisë Socialiste Edi Rama