English

Faleminderit Tirana!

Tiranë, 14 maj 2011, NOA – Falë jush, kjo ka qenë një fushatë e lumtur...

Lulzim Basha

Dua të falenderoj gruan time Aurelën dhe vajzën time Dafinën, dhe të gjithë familjen time për mbështetjen dhe kujdesin e tyre gjatë gjithë kësaj fushate.

Dua të falenderoj gjithë stafin e fushatës time, të gjithë bashkëpunëtorët e mi, për përkushtimin, punën e palodhur dhe përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme.

Dua të falenderoj Kryetarin e Partisë Demokratike, Kryeministrin Sali Berisha për mbështetjen e tij, të gjithë Partinë Demokratike, nga anëtarët e Parlamentit, drejtuesit e partisë dhe të gjithë anëtarët e saj.

Dua të falenderoj po kështu partnerët e koalicionit për mbështetjen e tyre, në këtë përpjekje të përbashkët nuk mund të gjeja miq më të mirë.

Dua gjithashtu të falenderoj të gjithë komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit e Partisë Demokratike, të Aleancës për Qytetarin, dhe të të gjitha partive si dhe vendeve mike, të cilët ndihmuan për ta bërë këtë proces zgjedhor të ndershëm, të lirë, të saktë, transparent dhe të tillë, me të cilin mund të krenohet Tirana.

Dua të falenderoj qytetarët e Tiranës, që gjetën kohë për të ndarë me mua problemet e tyre dhe për të dëgjuar mendimet e mia për zgjidhjen e tyre.

Dua të falenderoj në veçanti Iniciativën për Tiranën, e cila më ftoi për të ndarë me ta mendimet e mia sesi mund ta bëjmë qytetin tonë më të mirë.

Jam mrekulluar që kaq shumë qytetarë e mbështetën këtë fushatë. Ju më dhatë mbështetjen tuaj të paçmueshme, votën tuaj, por më shumë se kjo, ju dhatë zemrat tuaja. Falë jush, kjo ka qenë një fushatë e lumtur.

Shumë prej jush që e mbështetët këtë fushatë u angazhuat për herë të parë politikisht. Sot ju ftoj të mbeteni të angazhuar.

Së bashku ne ndryshuam mënyrën sesi funksionon politika, në Tiranë, dhe në Shqipëri. Ne e vumë atë në funksion të zgjidhjeve dhe jo të akuzave. E vumë atë në funksion të së ardhmes dhe jo të së shkuarës.

E vumë atë në funksion të qytetarëve dhe jo të politikanëve. Ne parashtruam idenë e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve, idenë se askush nuk mund të udhëheqë nëse më parë nuk dëgjon, dhe idenë se qeverisja, çdo qeverisje, duhet të japë llogari para qytetarëve. Kjo fushatë ka ofruar një model të ri për qytetin tonë dhe për Shqipërinë. Qytetarët kanë patur pushtet si asnjëherë më parë gjatë kësaj fushate dhe është detyra jonë që të sigurojmë që kjo nuk do të ndryshojë, që kjo do të mbetet.

Njerëzit kanë besim tek një mënyrë e re e të bërit politikë. Ne kemi ndryshuar mënyrën se si bëhen fushatat në këtë vend, dhe kemi ndryshuar perceptimin se çdo të thotë të jesh zyrtar i zgjedhur. Do të thotë që ju jeni të parët!

Këto zgjedhje kanë qenë të lira dhe të ndershme. Dhe kjo ka qenë po kështu një garë shumë e ngushtë.

Cilido të jetë verdikti final i votuesve, unë do ta pranoj atë. Shpresoj që edhe zoti Rama të bëjë të njëjtën gjë.

Pavarësisht nëse marrim për bazë burimet tona apo të palës tjetër, të dy kandidatët ndahen nga fare pak vota. Asnjë nga kandidatët nuk mori më shumë se 50 përqind të votave. Unë e kam thënë që në fillim të procesit të numërimit se çdo votë duhet të numërohet në mënyrë të ndershme, të saktë dhe transparente.

KQZ po përllogarit rezultatin final dhe ne akoma nuk e dimë se kush është fituesi.

Por në respekt të vullnetit të qytetarëve, unë mbetem i vendosur që çdo votë të lexohet saktësisht dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Nëse në fund të këtij procesi z. Rama është me të vërtetë fituesi unë do ta uroj atë, dhe nëse fituesi jam unë, shpresoj po kështu që ai të më urojë mua.

Kur fituesi i kësaj gare të jetë i sigurtë ne kemi nevojë të ecim përpara dhe jo mbrapsht, sepse ne kemi nevojë të ecim përtej luftës politike dhe të punojmë për zgjidhjen e problemeve.

Sepse qytetarët e Tiranës kanë dhënë një mesazh të fortë dhe të qartë: ata nuk duan që kryebashkiaku të luftojë beteja politike, ata duan që kryebashkiaku të luftojë betejat e tyre qytetare. Ata duan vende të reja pune dhe një Tiranë moderne europiane dhe jo grindje shterpë dhe fajësim të të tjerëve.

Çdo qytetar nëse ka votuar për mua apo kundër meje mbart këtë mesazh. Dhe kur të kemi rezultatin final dhe këto zgjedhje të kenë mbaruar, të gjithë ne duhet të bashkohemi për të punuar për një të ardhme më të mirë ku të parët të jenë Tirana dhe qytetarët e saj. *Deklarata e kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha

KOMENTE
  • Armando Shaholli23:04 - 14 Maj 2011
    me mir qe fitoj edi me mir se vetem edi per tironen
  • xhovani22:06 - 14 Maj 2011
    zoti basha jeni i vetmi qe mund te ndrishoni gjithcka
  • Klodiana Sina21:50 - 14 Maj 2011
    basha ti e meriton fitoren vetem ti dhe vetem ti........................
  • Mhill Kadeli21:38 - 14 Maj 2011
    me vjen keq per bashen avanti il prossimo Rama ju pret pas 4 vjetesh