Beograd, 14 maj, NOA - Një nga kushtet kryesore që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, është të arrijë rezultate konkrete në dialogun e nisur me Kosovën.
Kjo është konfirmuar nga komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, gjatë një interviste që i ka dhënë televizionit serb B92. Fuele e ka paralajmëruar Serbinë se po i përfundon koha dhe se duhet që të shpejtojë reformat e nevojshme që të marrë statusin e kandidatit për BE.
Fuele, së bashku me udhëheqësin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, do ta vizitojnë Serbinë javën e ardhshme gjatë një turi ballkanik.
“Qëllimi kryesor i vizitës është që të inkurajohet Serbia që të shfrytëzojë këto javë dhe muaj të fundit, që të përballet me çështjet për të cilat ne kemi insistuar”, ka thënë Fuele.
Një kusht tjetër është dhe marrja e një raporti pozitiv nga Kryeprokurori i Tribunalit të OKB-së për krime lufte, Serge Bramertz, për përpjekjet e Beogradit që të arrestojë dy të kërkuarit e mbetur, Ratko Mladic dhe Goran Hadzic.
Serbia shpreson që të sigurojë një vendim pozitiv nga Komisioni Evropian në aplikacionin e saj për anëtarësim në BE, aplikacion ky që është dorëzuar në fund të vitit 2009
NOA