Leçe, 14 maj, NOA – Forcat italiane të Guardia di Finanzia-s kanë kapur plot 430 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si e llojit marijuanë, që vinte nga Shqipëria.
Siç bëhet me dije nga mediat italiane, kjo sasi ishte fshehur në bordin e një anije, të braktisur në shkëmbinjtë në mes të plazhit Palese, afër Leçes.
Konkretisht, anija, rreth 6 metra e gjatë, u kap nga një anije patrullimi e Guardia di Finanzia-s, natën e së premtes, duke u gdhirë dita e sotme, rreth orës 23:45.
Mësohet se ajo ishte braktisur atje pikërisht nga dy trafikantë shqiptarë, të cilët më pas u larguan në drejtim të paditur.
Droga në fjalë, ishte fshehur nën një mbulesë të gomuar blu dhe ishte ndarë në 17 çanta.
Pasi pa patrullën e Guardia di Finanzias të afrohej, anija nisi të lëvizë me shpejtësi, me dy trafikantët në bord, të cilët ndryshuan menjëherë shpejtësinë dhe kryen manovra të guximshme.
Fillimisht, duke u përpjekur të ikin në det dhe më vonë, kryen një shpejtësi të lartë në drejtim të bregdetit, me përpjekjet e rrezikshme për t'i shpëtuar kapjes së mundshme.
Pas gjithë kësaj, trafikantët u larguan duke qenë në gjendje të zhduken.
Policia italiane, nga ana e saj, ka bërë vlerësimin e 430 kilogramëve marijuanë, duke pohuar se mbërrinte nga Shqipëria.
Menjëherë, marijuana dhe skafi u konfiskuan, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar për të identifikuar kontrabandistët dhe marrësit e drogës në treg, prej së cilës do të kishin fituar rreth 2 milionë €uro.
Operacioni u krye mbi bazën e bashkëpunimit të frytshëm me policinë shqiptare, të forcave të Guardia di Finanzias.
Nga ana e tyre, policia e kufirit të Durrësit, kishte raportuar natën e fundit një trafikim të mundshëm droge drejt brigjeve italiane. n.e/NOA