Tiranë, 14 maj 2011, NOA- Pas ndërprerjes prej disa orësh të numërimit të votave në njësinë numër 5 në kryeqytet, aktualisht janë numëruar edhe 3 kuti të tjera duke bërë që të ulet në dhjetëra vota avantazhi i kandidatit të maxhorancës Lulzim Basha.
Sipas gazetarit të agjencisë së lajmeve NOA në këtë njësi, rezulton se nga numërimi i tre kutive të fundit kandidati socialist Edi Rama ka kryesuar me 139 vota në avantazh ndaj rivalit të tij.
Ndërkaq pritet që rezultatin përfundimtar për këto kuti të e japë Kaomisioni Qendror i Zgjedhjeve pas marrjes së procesverbalit dhe të dhënave nga KZAZ numër 49.
Theksohet se aktualisht janë edhe 5 kuti të tjera për tu numëruar nga ku pritet edhe verdikti final për kryebashkiakun e ri të Tiranës.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, për 477 kuti votimi ndër 485 gjithsej, Lulzim Basha mban 123348 vota, kurse Edi Rama 122777 vota dhe Hysni Milloshi 1352 vota. Nga llogaritjet e këtyre shifrave del se diferenca mes dy kandidatëve Rama dhe Basha është 571 vota, aktualisht në favor të Bashës, ndërsa po ti mbledhës edhe rezultatet të këtyre kutive rezulton se ky avantazh zbret në 432 vota.
Ndërsa llogaritjet përfundimtare dhe rezultati final pritet të dalë nga institucioni përkatës i administrimit të zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
a.y/NOA