Nga Artur Zheji
Ashpërsimi tej çdo mase i egërsisë politike ka angazhuar në trajtë edhe më të egër Mediat shqiptare, të lidhura ngushtë me interesa të mëdha bashkiake dhe financiare. Gazeta e Koço Kokëdhimës, e përditshmja ‘Shekulli’, po tejkalon çdo limit dhe rrëfehet kaq shumë nervoze saqë ka filluar ndjekjen dhe përgjimin e gazetarëve rrugëve të Tiranës. Jo vetëm kaq, por në mënyrë krejt të paturpshme, me shkrime pa emër dhe foto, hedh në faqe të parë gazetarin e njohur Arjan Çani duke dalë nga shtëpia e Ilir Metës. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe me autorin e këtyre radhëve, ndonëse kanë munguar fotot përgjuese.
Koço është një biznesmen dhe botues, ku së bashku me ‘Birin e tij’ politik dhe për absurd kujtojnë se mund të bëjnë dhe të thonë ç’të duan dhe për këdo, me fletushkën e tyre personale.
Por kjo është e fundit në radhën e shqetësimeve të mia, të cilat nuk janë aspak personale, por kryesisht qytetare, i dashur z. Kokëdhima.
Si mundesh ti, botues dhe pronar i një gazete deri dje të rëndësishme, të lejosh një pirateri të tillë mediatike, e cila është në skajin më të turpshëm të etikës gazetareske?
Por shqetësimi shkon edhe më tej: Si është e mundur që sistematikisht të çosh në skajin më ordiner përfoljen spekulative mbi njerëz dhe situata, me kontekste kaq të deformuara dhe gënjeshtare? Si është e mundur të kemi pas shpine një gazetë armike apo spiune të gazetarëve?
Apo të tingëllon naive pyetja ime? Pak më shumë respekt për veten, zoti Kokëdhima, pak më shumë respekt për të tjerët, pak më shumë respekt për ato që quhen rregullat e lojës në një shoqëri civile, pak më shumë respekt për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Por çështja nuk ndalon dhe nuk shteron te 2K dhe Rama grup, kjo është pjesa më vdekatare dhe më tregtare e fenomenit. Çështja më e rëndësishme ka lidhje me higjienën e shoqërisë, e cila po ndotet e po ndotet pa kufi.
Po Rama? Ndoshta botuesi de facto, apo pëshpëritësi i kësaj gazete? Do të rikthehet në Bashki apo do të hipë në Qeveri të madhe, si njeri erudit dhe bërës gjërash të rëndësishme, apo si Kryepolic, si kryeAgjent, si KryeSpiun i jetës së të tjerëve?
Kjo është marka e tij e re? Banditë, spiunë, zagarë, Regjim? Nuk e besoj dot. Kam një rezistencë psikologjike për ta besuar. Bile edhe për Koçon nuk e besoj dot, saqë mendoj se ndoshta ka qenë thjesht lapsus i lepurushëve më të zellshëm të stanit, në mosvëmendje dhe shkujdesje të bariut.
Por ja që e pashë në gazetë. Ruani nervat dhe dinjitetin Zotërinj, kryesisht nervat, sepse pa to nuk bën fajde paraja dhe pasja. Nuk mund të Shik-oset jeta e shqiptarëve, nuk mund të kanosemi nga një regjim i ri, qoftë ky neo-komunist, qoftë ky banditesk apo policesk. Është një krim i madh shoqëror, është një regres për shqiptarët naivë që ju besojnë dhe ju ndjekin.
Le të besojmë se ishte një ëndërr e keqe, një lapsus. Le të besojmë se lepurushat vepruan me zell dhe pa mend. Le të besojmë se Rama nuk di gjë, bile është nxehur shumë nga kjo. Le të besojmë se Koço do të ndëshkojë përgjegjësin.
Nëse nuk është kështu, kujtesë: Nuk kam dhe nuk dua të kem frikë! Jetoj lumturisht më mirë në modestinë time të ndershme, pa pallate, pa Ferrari, pa rrugë personale, pa pushtet okult, pa një oborr të populluar me zara dhe lepurusha. Shkurt, si shumica e shqiptarëve.
Por kjo është një histori tjetër. Unë nuk besoj në iluzionin e pavdekshmërisë që frymëzon paraja, oborri dhe pushteti. Një varr me mermer të shtrenjtë dhe një varr guri, janë njësoj varre. Bile kujdes, varret e të pasurve janë ata që vidhen.
Një dramë e madhe dhe e mëvetshme apo jo, të mos blesh dot qetësinë edhe mbas vdekjes? Po përse të flasim për vdekjen fizike, kur më parë duhet të shihemi mirë në pasqyrë e të pyesim veten për vdekjen shpirtërore?
Nëse nuk beson te Zoti, në hall të madh ndodhet gjithkush, pa dallim të kontos bankare. Dhe mbi të gjitha: Zoti ju faltë, i dashur Koço dhe i dashur Edi!