Ndeshjet e fundit të kampionatit shqiptar, në një reportazh nga gazeta angleze “Guardian”
Jonathan Wilson
Kampionati shqiptar po mbyllet, por shumë tifozë preferojnë të ndjekin ligat e huaja
Në mbrëmje, pas ndeshjes Flamurtari-Tirana, duke shëtitur nëpër qytet, u ndala para një lokali ku po shihej futboll.
Më vështirësi, prej tymit të duhanit, arrita të dalloj se Reali i Madridit ishte duke humbur 3-2 me Real Zaragozën, si dhe Çelsi po barazonte 1-1 me ekipin e Totenhemit, por në të njëjtin lokal në një ekran të vogël po transmetohej edhe një ndeshje tjetër dhe dallova që po luante Interi.
Teksa po përpiqesha që të dalloja sa ishte rezultati i ndeshjes, një djalë rreth tetë vjeç, me fanellën e Barcelonës, ishte duke dalë jashtë dhe nuk ngurova që ta pyesja: “Interi, 1-1?” - ia bëra edhe me shenjë, duke ngritur nga një gisht në secilën dorë.
“Po,” – tha ai në shqip, por nga tundja e kokës e kuptova se ndeshja ishte në barazim. Një grup tjetër djemsh iu afrua atij. “Messi 10” dallohej në fanellën e shpinës së tij. “Mesi-Ronaldo?” ,– më pyeti ai mua, duke më kërkuar që të zgjidhja mes tyre cili ishte më i mirë.
“Mesi, i thashë, sigurisht”. Ai më pas u kthye tek shokët dhe një tjetër bërtiti: - “Reali”. Tifozi i Realit më kërkoi se cila ishte skuadra ime e preferuar në Itali: “Milani apo Interi?”.
Unë iu përgjigja: “Napoli,” duke iu treguar se nuk kam preferenca. Ai nxori nga xhepa një letër dhe më tregoi se ishte shënuar: “Napoli - Xhenoa 2”. E kuptova që bëhej fjalë për një skedinë sportive dhe ai kishte parashikuar si do të dilte kjo ndeshje. Një ditë më vonë pashë ndeshjen mes Arsenalit dhe Mançester Junajtid, në një bar të thjeshtë në Tiranë. Kuptova se shumë njerëz luanin kumar në skedina. Siç dukej kumari kishte goxha popullaritet në Shqipëri.
Në çdo qytet, në çdo rrugë dukeshin foto të rastësishme futbolli. Emil Heski, duke shënuar, Frenk Lampard duke mbajtur Diego Forlan, apo Rio Ferdinand me titullin në Premier Ligë. Tre burra u ulën pas tavolinës sime, për të parë ndeshjet, ata pinin duhan dhe porositën nga një raki.
Përfundoi pjesa e parë e ndeshjes së Premier Ligës, por menjëherë në ekran u shfaq një ndeshje tjetër nga Seria A, Bolonja -Milan. Në baret shqiptare njerëzit preferojnë që të shohin ndeshjet e ligave të tjera, se të ndjekin futbollin e tyre, që përballet shpesh me probleme të shumta.
Nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por në vendet ballkanike, ndodh e njëjta dukuri. Më kujtohet diçka e ngjashme me Zoran Avramoviç, ish-menaxheri i marketingut të Crvena Cvezdas, i cili një dekadë më parë më thoshte: “Nëse dëshiron që të ndihmosh futbollin serb”,– më ishte drejtuar ai mua,-“duhet që më parë të ndalësh pasqyrimin e ndeshjeve të futbollit të huaj.
Djemtë preferojnë që të ulen në fundjavë në një bar për të parë ndeshjet e kampionatit gjerman, spanjoll, italian, apo anglez.
Të shohësh në stadium ekipin e Crvena Cvezda, edhe kur luan keq dhe i fiton 2-0 ndeshjet me disa ekipe fshatrash, nuk ia vlen. Pse duhet të shkojë ai në stadium.” Atëherë pse një shqiptar duhet të shohë një parodi të Ibrahimoviçit, kur ai mund të shohë gjëra më reale. Pse duhet të tymosë në një bar, kur mund t’i drejtohet fare mirë stadiumit?...
Katër pikë para në klasifikim, kur mbeten edhe dy javë deri në mbyllje, Skënderbeu është shumë pranë fitimit të titullit kampion, sukses që i mungon prej vitit 1933.
Tirana dhe Dinamo, dy ekipet më të suksesshme në vend nuk kanë rivalizuar këtë vit, por kur sheh se për ndeshjet më të mëdha të kampionatit shqiptar në stadium shkojnë vetëm 3-4 mijë tifozë, atëherë kuptohet se ç’të ardhme ka futbolli në Shqipëri.
Por Shqipëria është një vend që e do shumë futbollin, por tifozët jo domosdoshmërish e ndjekin futbollin e tyre, nëpër stadiume.