English

Wollfarth: Reagimi për zgjedhjet, Berisha tregoi lidership të vërtetë

Kryeministri me deklaratën e tij tregoi lidership të vërtetë. Ai përdori fjalët e duhura kur shprehu respekt për procesin e duhur, pritjen për shpalljen e rezultateve nga KQZ-ja dhe kur u bëri thirrje votuesve, qytetarëve dhe simpatizantëve të partive që të festojnë, por në mënyrë të qetë. Ky veprim ishte shumë i rëndësishëm.

Këtë vlerësim e bëri sot ambasadori i OSBE në Tiranë Wollfarth, duke folur për tv Ora News.

Më poshtë vijon intervista e zbardhur:

Në këto momente, të dyja palët po pretendojnë fitore. Si do ta zgjidhim? Do të vazhdomë të festojnë të dyja palët akoma dhe a mund të vihen në dyshim rezultatet e shpallura nga KQZ-ja në uebsajtin e saj?

Unë do të përgëzoja njerëzit që kanë punuar në procesin e numërimit. Ka qenë një punë jashtëzakonisht e vështirë. Procesi u vëzhgua nga shumë afër nga ODIHR-i, nga vëzhguesit vendorë, nga vëzhgues të tjerë të huaj dhe po ashtu edhe nga media, e cila bëri një mbulim shumë të mirë të tij. Prandaj, për mua fituesi është i qartë: ajo është, në radhë të parë, demokracia. Kjo është e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Fituesi, pasi të dalë rezultati përfundimtar, do të ndjejë se ishte fitore e vërtetë dhe kjo është e rëndësishme. Ajo që më lë vërtet mbresa është mesazhi që vjen nga votuesit. Pavarësisht llogaritjeve matematikore dhe rezultatit përfundimtar, kur rezultati është kaq i balancuar, unë shoh një mesazh të mirë në të. Ky është mesazhi për një bashkëpunim ndërmjet të dyja kampeve, midis partive kryesore, i cili i hap rrugën një të ardhmeje akoma më të mirë. Kjo zgjedhje e votuesve ishte një supermoment i demokracisë. As Alfred Hitchcock nuk mund të kishte shkruar një skenar më dramatik.

A besoni se humbësi do të urojë fituesin, cilido qoftë ai?

Sigurisht, është shenjë e mirë kur personat e përfshirë në konkurrim në një moment shumë të veçantë në skenën politike gjejnë këtë rrugë komunikimi pas zgjedhjeve. Por do të doja të shtoja që nuk ka humbës. Unë i konsideroj të dy kandidatët politikanë të mëdhenj. Do të shohim më shumë vepra të tyre në të ardhmen. Do ta lija në dorën e tyre çështjen e përgëzimeve. Unë shoh progres, bashkëpunim më të mirë, mirëkuptim dhe shumë nga këto i kemi parë edhe sot gjatë procesit të numërimit.

A jemi ndarë edhe ne, votuesit, në tifozeri të majtë e të djathtë?

Votuesit tani duhet të përqendrohen te jeta normale. Të jenë produktivë, ta bëjnë mirë punën e tyre dhe ata që nuk kanë ende punë, të përpiqen të gjejnë një. Pra, t'i kthehen jetës normale, ashtu si dhe fëmijët do të kthehen në shkollë, pas pushimit të kësaj jave. Detyra të mëdha na presin të gjithëve dhe veçanërisht autoriteteve në bashki e komuna. Unë do të uroja që puna normale të rifillonte sa më shpejt.

Ç'mendim keni për deklaratën e kryeministrit?

Kryeministri me deklaratën e tij tregoi lidership të vërtetë. Ai përdori fjalët e duhura kur shprehu respekt për procesin e duhur, pritjen për shpalljen e rezultateve nga KQZ-ja dhe kur u bëri thirrje votuesve, qytetarëve dhe simpatizantëve të partive që të festojnë, por në mënyrë të qetë. Ky veprim ishte shumë i rëndësishëm.

Tani është shumë e rëndësishme që të jemi gjakftohtë. I kuptoj emocionet dhe madje rrahjet e zemrës i ndjeva edhe unë këtu. Siç po shohim, tashmë nuk është vetëm çështje kohe, por edhe çështje saktësie. Duhet krijuar sërish mozaiku i vullnetit të votuesve që u shpreh në kuti e që tani duhet shpalosur në një tablo të qartë. Janë mbi çerek milioni votues që përbëjnë atë mozaik dhe do të duhet patjetër pak kohë për të siguruar që çdo pjesëz e mozaikut të jetë në vendin e vet. Pra, është çështje kohe, por është gjithashtu edhe çështje saktësie. Unë do t'i bashkohesha ftesës së kryeministrit për të qenë të qytetëruar dhe për të pritur rezultatet përfundimtare.

Qytetarët, në një farë mënyre, gjatë fushatës, e kanë paragjykuar procesin e votimit, për shkak të incidenteve që ndodhën. Tani që gjithçka ka përfunduar dhe ne kemi përfunduar një proces votimi dhe numërimi të qetë, mos ndoshta nuk do të na jepet më e drejta për të bërë paragjykime për atë që do të ndodhë më tej?

Tani është më mirë të mendohet për mundësitë e tjera, si të bëhen punët mirë në të ardhmen dhe të nxirren mësime nga veprimet e së shkuarës. E ardhmja mund të jetë e ndritur dhe kjo do të vijë vetëm nëse vendoset një urë mbi hendekun mes dy kampeve dhe nëse çohet vendi përpara, në të gjitha nivelet. Dita e sotme është shumë e rëndësishme për Tiranën dhe për tërë Shqipërinë. Duket se Shqipëria është pranë të bërit të një hapi të madh përpara.

Ju folët për një mozaik. A do të thotë kjo se duhet të presim edhe një javë tjetër për të bërë përllogaritjet?

Kjo është një pyetje e drejtë, e cila i duhet drejtuar në radhë të parë KQZ-së. Mund të ndodhë, por dua të theksoj se procesi i numërimit u vëzhgua nga shumë afër dhe u zhvillua me shumë energji, ashtu siç e pashë edhe vetë. Le të presim përfundimet e vetë KQZ-së, le të shohim se çdo të raportojë ODIHR-i dhe le të presim rezultatet përfundimtare. Nga ana ime, mund të them se procesi u karakterizua plotësisht nga vullneti i mirë dhe kjo përbën një pikënisje tejet të rëndësishme. Ndoshta, kjo ka shumë mundësi të përbëjë ndryshimin mes këtyre zgjedhjeve dhe atyre në të shkuarën.

KOMENTE