Amerikanët që kanë shërbyer në bordin e aeroplan mbajtëses që ishte përgjegjëse për varrosjen e Osama bin Ladenit në det, e kanë filluar një vizitë katërditore në portin e detit në Filipine.
Anija luftarake, USS Karl Vinson, e ka lëshuar spirancën nën masa të rrepta sigurie në gjirin e Manilës, duke shënuar kështu edhe pushimin e parë të anijes që mban 5500 marinarë, pilotë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit pas disa muajsh duke i përkrahur përpjekjet e luftës në Irak dhe Afganistan.
Ekipi ka marrë urdhra që të mos tregojë asnjë detaj as për vrasjen e 2 majit të Osama bin Ladenit, liderit të Al Kaidës në Pakistan, apo varrimin e tij në Detin Verior të Arabisë, të njëjtën ditë, raporton Free Europe.
Komandanti i grupit që e përkrah Karl Vinson dhe anijet tjera përkrahëse, Samuel Perez, ka refuzuar të komentojë rreth varrimit, por ka thënë se morali i luftëtarëve është shumë i lartë.
Në pyetjen e një prej gazetarëve se si ndjehet rreth të qenit pjesë e historisë në operacionin e bin Ladenit, Perez u shpreh: “Unë nuk dua të komentoj rreth kësaj. Unë mendoj çdo ditë se jam marinar në Marinën e SHBA-ve, jam pjesë e historisë”.
Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se në këtë mbajtëse, trupi i bin Ladenit ishte vendosur në një qese, më pas ishte vendosur në dysheme dhe krejt në fund ishte hedhur në det pasi ishin thënë lutjet.
Presidenti i Filipineve, Benino Akuino III, dhe disa zyrtarë të lartë të qeverisë së vendit e kanë vizituar anijen luftarake.