English

Berisha: Rezultati nuk është finalizuar pa u parë votat e kontestuara

Tiranë, 15 maj 2011, NOA- (Update) Në vijim të fjalës së tij gjatë konferencës së ditës së sotme kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se, për askënd humbja nuk është kurrë e ëmbël.

“Meqenëse shumë herë jam deklaruar para fushatës, jam shprehur se në rast se zoti Rama fiton qoftë edhe një votë më shumë se koalicioni që unë drejtoj, unë kam humbur zgjedhjet, kjo për dy arsye, partia ka simbolet e veta, ka kryetarin, ka flamurin, dhe ato janë vetëm politike, një arsye e dytë ishte se kundërshtari im në një mënyrë të papërmbajtur i shpall zgjedhjet si referendum kundër kusarëve dhe qeverisë dhe e ndërtoi gjithë fushatën e tij mbi këtë bosht. Ndërsa fushata jonë u ndërtua mbi vlerat e qytetarit dhe kjo bëri që koalicioni ynë të marrë 72 mijë vota më shuam se koalicioni i zotit Rama, unë jam njeri i betejave kombëtare. Por shpreh bindjen se sovrani nuk gabon kurrë”, deklaroi shefi i bluve.

Sakaq ai ironizoi kryesocialistin Edi Rama duke thënë se ai mburret duke thënë se fitoi me 10 vota, me që nuk pa asnjë dhjetë në shkollë, mburret me to pas të 40-ve.

Sipas tij, rezultati i dalë nga zgjedhjet nuk është për të mospërfillur, por është për t’u finalizuar, pasi nuk mund të thuhet se është finalizuar rezultati pa u parë votat e kontestuara.

Më tej ai deklaroi se, “Nëse nënvlerësohen këto vota, atëherë nuk ka zgjedhje, dhe unë pres kontestin dhe e ftoj edhe zotin Rama dhe të gjitha forcat politike të ushtrojnë këtë të drejtë por të ketë besim te institucionet. Theksoj se zoti Basha u shpreh shumë i qartë dje kur tha se pres rezultatin dhe theksoi se nëse fiton zoti Rama do e uroj, por votat e kundërshtuara kanë logjikën e tyre, kodin e tyre dhe përcaktimin e tyre”.

Sakaq ai shtoi se, do të bëhet edhe analiza e këtyre zgjedhjeve, duke u analizuar të gjitha rrethanat do përdoret kjo analizë për një fitore në vitin 2013, sepse tha ai nuk ka kurrë fitore të përjetshme dhe as humbje të përjetshme.

Ndër të tjera Berisha deklaroi se, për Tiranën kur u nis beteja, u nis për tu fituar dhe për këtë arsye u zhvillua beteja më të bukur elektorale.

Në përfundim lideri i së djathtës theksoi: “Jam shumë krenar për betejën e qytetëruar që zhvilluam në Tiranë e cila pati besimin masiv, rezultati është aq i ngushtë, por unë s’mund të shpall rezultatin para institucioneve të vendit. Unë jam i vendosur të pranoj çdo rezultat të certifikuar nga institucionet përgjegjësve. Theksoj se do qëndrojmë mbrapa çdo vote të qytetarëve të Tiranës”.

a.y/NOA

KOMENTE