Tiranë, 15 maj 2011, NOA Update – Ndërkohë që beteja për Tiranën mes kandidatëve Edi Rama dhe Lulzim Basha është ndalur në fushën e Komisionit Qendror të zgjedhjeve, i cili ka tagrin ligjor tanimë, të shpallë kryebashkiakun e kryeqytetit, pasi diferenca e votave është tejet e ngushtë, Lulzim Basha deklaroi sonte në mbrëmje se çdo votë legjitime duhet të numërohet me të njëjtin standard, duke shqyrtuar edhe legjitimitetin e votave të kontestuara.
Nga selia blu kandidati demokrat i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” theksoi se legjitimiteti i çdo vote të kontestuar duhet të përcaktohet nëpërmjet procesit normal ligjor.
Këtu Basha duke iu referuar fletëve të votimit për kryebashkiak të gjetura në kutitë për kryetar minibashkie në disa njësi në Tiranë, por edhe faktit se diferenca me vota është tejet e ngushtë, theksoi se “Për këtë qëllim ne duhet të konsiderojmë çdo votë të vlefshme dhe procesi për të përcaktuar vlefshmërinë e çdo vote duhet të jetë njëlloj në çdo vendnumërimi votash".
Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” tha se do t’i kërkojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë çdo votë të kontestuar, pa përjashtim, dhe pavarësisht se cilin kandidat favorizon.
“Sepse çdo vote duhet t’i jepet mundësia të numërohet dhe zërit të çdo qytetari duhet t’i jepet mundësia të dëgjohet. Gjatë këtij procesi unë mund të fitoj ose humbas vota, por pa dyshim Tirana do të ketë fituar”, deklaroi Basha.
Basha apeloi se aq më shumë që kjo garë është kaq e ngushtë, të gjithë kandidatët dhe partitë duhet të respektojnë zërin e çdo qytetari.
“Në fund të këtij procesi, gjëja më e rëndësishme nuk është kush fiton dhe kush humbet, por që demokracia të funksionojë dhe që qytetarët të kenë bindje dhe besim se rezultatet reflektojnë saktësisht votat e tyre”, nënvizoi kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës.
Por referuar faktit se shpallja e kryebashkiakut të Tiranës po tejzgjatet përtej 1 jave nga zgjedhjet administrative të 8 majit, Lulzim Basha risolli në vëmendje se tej dëshirës për një rezultat përfundimtar, sipas tij, shpallja e këtij rezultati nuk mund të cënojë parimin, që numërimi i çdo vote të jetë i saktë dhe të reflektojë vlerat e demokracisë.
Këtu ai rikujtoi se që në krye të procesit të numërimit kishte apeluar për numërimin e çdo vote, deri në atë të fundit.
“Unë kam thënë që në fillim të procesit të numërimit, si kur kryesoja garën ashtu dhe kur nuk kryesoja, se të gjitha votat duhet të numërohen saktësisht, me ndershmëri, dhe në mënyrë të barabartë, dhe se zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet në mënyrë të barabartë”, tha Basha.
Por, Basha e nisi deklaratën e sotme me një falenderim për çdo komisioner, numërues dhe vëzhgues, të cilët ndihmuan përgjatë gjithë këtij procesi, e sikundër tha Basha, shumë prej të cilëve vazhdojnë punën për finalizimin e tabelave dhe konfirmimin e saktësisë së rezultateve në garën për kryebashkiak.
Kjo kërkesë ndaj KQZ-së vjen pas gjetjes së votave të vlefshme për kryebashkiakun e Tiranës, në kutitë për kryetar minibashkie, në njësitë bashkiake nr. 7 dhe atë 5, të cilat numërohen pranë KZAZ-ve 51, dhe 49.
mit/NOA