English

Franca reagon e shokuar pas padisë për ngacmim seksual kundër kreut të FMN-së

E diel, 15 maj 2011, NOA- Kundër drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Dominique Strauss-Kahn është ngritur padi në Nju Jork për ngacmim seksual dhe tentativë për përdhunim.

Ai ndodhet në arrest në policinë e Nju Jorkut, pasi të shtunën pasdite pak minuta para nisjes së avionit të tij të Air-France ai u arrestua nga detektivët e doganës.

Një pastruese e dhomës së hotelit të Strauss-Kahn njoftoi përmes një telefonate emergjence policinë, pasi sipas dëshmisë së saj, ajo mundi t' i shpëtonte një sulmi të dhunshëm seksual të francezit 62 vjeçar. Socialisti Strauss-Kahn konsiderohet si favorit dhe rivali më i fortë i Nicolas Sarkozy-së në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë.

Titujt e dy gazetave të mëdha franceze të së dielës kontrastojnë si asnjëherë tjetër: “Le Parisien -Aujourdhui en France” boton një sondazh të madh me titullin "Dominique Strauss-Kahn i preferuari i francezëve". “Le Journal du Dimanche” në të kundërt kishte marrë një sinjal nga Nju Jorku dhe në mes të natës ia doli që ta ripunojë faqen e parë të gazetës duke botuar kronikën për arrestimin e shefit të FMN-së.

Socialistët reagojnë me tone të përmbajtura

Politikanët francezë gjatë paradites së sotme me shumë ngadalë arritën ta kapërcejnë një lloj gjendjeje shokimi. Njeriu, që donte të sfidonte Nicolas Sarkozy-në në zgjedhjet presidenciale pas një viti, të jetë një përdhunues? Ségolène Royal, e cila gjithashtu do të kandidojë për socialistët në garën paraelektorale, në një intervistë radiofonike të planifikuar prej kohësh, dha deklaratën, se nuk do të prononcohet tani për tani lidhur me këtë rast. “Ashtu si çdo qytetar Dominique Strauss-Kahn ka të drejtën e prezumimit të pafajësisë për aq kohë sa nuk ka dëshmi. Unë bashkohem me shqetësimin, me të cilin duhet të përballet tani familja e tij dhe ai vet”.

Tek socialistët duket tani të jetë hedhur parrulla: “Kjo që tregohet nuk përputhet me një person si ai”. Të gjithë e përsëritin këtë, madje edhe kundërshtari i tij, ish-deputeti socialist Jean-Marie Bockel nga Strazburgu: “Kjo nuk përputhet me tipin e tij. Si avokat që jam, sot nuk mund të them më shumë se kaq.“

Sfidanti i Sarkozy-së në garën presidenciale i shtang francezët

Muajt e shkuar Dominique Strauss-Kahn, ose DSK, siç e shkurtojnë emrin e tij mediat franceze, kryeson në sondazhe. Vitin e ardhshëm ai me siguri do ta largojë Nicolas Sarkozy-në nga pallati Elysée, mendohet. Madje kjo mund të mbetet kështu edhe pas arrestimit të tij në Nju Jork, thotë eksperti i sondazheve me opinionin, i cili ka kryer anketimin për gazetën “Le Parisien”. Si të vetmit në Evropë, thotë ai, francezët bëjnë dallimin mes jetës private dhe politikës. E megjithatë kësaj here duket të jetë e pamundur të ndodhë kështu, të paktën nëse dëgjon njerëzit nga Sarcelles, vendi ku ai ka qenë kryebashkiak.

Qytetarë: “Unë jam i befasuar dhe i shokuar”, “Dominique Strauss Kahn ka qenë i njohur në Sarcelles. Kjo është shumë e rëndë dhe turp”. “Unë e konsideroj këtë shokuese si për Francën e madje ashtu edhe për Evropën.”, “Nga të gjitha ato që kemi dëgjuar për Berlusconi-in, edhe kjo mund të jetë e mundshme”.

Gazetarët nga ana tjetër tërheqin vëmendjen për hetimet e FMN-së në vitin 2008, kur DSK pati një aferë me një bashkëpunëtore. Ekstremistja e djathtë Marine Le Pen, e cila vitin e ardhshëm mund të dalë në balotazh me DSK-në, thumboi, se të gjithë gazetarët kanë pasur dijeni për aferat e kandidatit socialist me gratë.

DW/NOA

KOMENTE