Nga Mark Marku
Një nga faktet më të diskutuara të zgjedhjeve të fundit vendore ka qenë mospërputhja mes votës popullore për subjektet politike dhe votës për kandidatët e propozuara nga këto subjekte. Në shumë bashki e komuna vota për subjektin ka një mospërputhje të madhe me votën për kandidatin për kryetar bashkie. Në disa bashki të rëndësishme, Aleanca për Qytetarin e ka humbur garën për kryetarin e baskisë, ndërkohë që është konfirmuar si formacioni politik me konsensusin më të madh të votës popullore. Në shkallë vendi Aleanca për Qytetarin ka arritur të rikonfirmohet si koalicion fitues për sa i përket votës popullore dhe nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin tani, fitorja e saj do të ishte e njëjtë me fitoren e dy vjetëve më parë.
Ky rezultat është simbolik për shumë arsye, por është i rëndësishëm nëse e shikojmë në kontekstin politik të këtyre dy viteve. Është i rëndësishëm, sepse e rikonfirmon edhe njëherë rezultatin e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare.
Publiku shqiptar nuk mund ta harrojë tensionin që ka shkaktuar në jetën politike dhe shoqërore shqiptare kontestimi i këtyre zgjedhjeve nga ana e PS-së. Për mëse dy vjet rresht opozita shqiptare ka krijuar mitin e manipulimit të zgjedhjeve dhe për shkak të këtij miti ka bojkotuar institucionet e dala nga këto zgjedhje, duke i shkaktuar jo pak probleme sistemit politik shqiptar. Duke propaganduar mitin e manipulimit të zgjedhjeve, lidershipi i PS-së e ka mbajtur elektoratin e vet në një gjendje revolucionare permanente, duke e shtyrë atë në veprime ekstreme, si greva e urisë në bulevard apo në sulmet e dhunshme kundër institucioneve shtetërore. Në rastin e fundit (21 Janar) veprimet u përshkallëzuan deri në nivelin më ekstrem të një konflikti civil. Miti i manipulimit të zgjedhjeve ka qenë argumenti bazë i një ekstremizimi të tillë të veprimtarisë politike të opozitës. Nën pretekstin e manipulimit është bërë thirrje për revolucion, për viktima, për përmbysje me dhunë për mosbindje civile.
Zgjedhjet e fundit janë përgënjeshtrimi më i mirë i gënjeshtrës socialiste të manipulimit të zgjedhjeve. Shifrat e votës popullore të Aleancës për Qytetarin jo vetëm që përputhen me numrin e votave që PD-ja dhe forcat me të cilat ajo ka ndërtuar koalicionin qeverisë kanë marrë në vitin 2009, por edhe e tejkalojnë atë ndjeshëm. Në këtë rast, nuk duhet harruar fakti se fushata e bërë nga zoti Rama ka synuar shndërrimin e kësaj fushate në një referendum për koalicionin qeverisës. Nuk ka arsye të mendojmë se elektorati i majtë nuk i është përgjigjur thirrjes së Ramës. Por vota popullore kundër Ramës është më e madhe se vota pro tij. Praktikisht, ai edhe dy vjet pas humbjes së 2009-s rezulton humbës. Dhe këtë radhë nuk besoj se ndokush do të mund ta vejë në diskutim këtë fakt. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse opinioni publik do ta gjykojë Ramën për tensionin e kotë që ai i ka krijuar shoqërisë shqiptare mbështetur në një manipulim të supozuar të zgjedhjeve të 2009-s. Nëse dikush do t’i kërkojë llogari për energjitë opozitare të shpërdoruara, për ndjenjat e tyre të manipuluara, për institucionet e dhunuara.