Tiranë, 15 maj 2011, NOA – Kandidati i “Aleancës për qytetarin” Lulzim Basha i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë e numërojë çdo votë të kontestuar në KZAZ-të e Tiranës.
Duke iu referuar faktit të gjetjes së disa fletëve të votimit për kryebashkiakun në kutitë për kryetarët e minibashkisë nr. 7 dhe 5, kandidati demokrat kërkoi prerazi që vota e çdo qytetari të Tiranës të numërohet, me qëllim siç tha ai, që të mos i mohohet e drejta e votës askujt.
“Ndaj unë i kërkoj KQZ-së të shqyrtojë çdo votë të kontestuar, pavarësisht se cilit kandidat i takon, pasi duhet të dëgjohet zëri i qytetarit. Unë mund të humb vota, por Tirana ka fituar, qytetari ka fituar”, theksoi Basha pak minuta më parë nga selia blu.
Ai ripërsëriti se janë evidentuar vota të vlefshme të hedhura gabimisht në kutitë e kryetarit të minibashkisë, por pa thënë numrin e saktë të tyre.
Në këtë kontekst Basha nënvizoi se “qytetarët meritojnë të dëgjohet zëri i tyre. Nuk e di numrin sa janë, por kërkoj që këto vota të numërohen, duke mos i mohuar votën asnjë qytetari”, tha kandidati për kryetar bashkie i “Aleancës për Qytetarin”.
Kandidati demokrat bëri me dije se është e domosdoshme nxjerrja e një rezultati përfundimtar, por ai argumentoi se dalja e rezultatit nuk mund e nuk duhet të cënojë parimin për numërimin e çdo vote.
“Unë që në krye kam kërkuar që të numërohet çdo votë në mënyrë të barabartë, dhe kur kjo garë është shumë e ngushtë duhet të dëgjohet zëri i çdo qytetari. Në fund të procesit le të dalë ai që ka fituar”, shtoi Basha, duke ritheksuar se për këtë qëllim duhet të konsiderohet çdo votë e vlefshme dhe të shqyrtohet.
mit/NOA