Tiranë, 15 maj 2011, NOA- Në një dalje të pak minutave më parë nga selia rozë, deputeti socialist Pandeli Majko i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të publikojë rezultatin për garën e kryeqytetit.
“Jam këtu për të informuam publikun se nga 485 kuti të Tiranës, procesverbali me ngjyrë të verdhë për kutin 1884/1 është e firmosur nga komisionerët dhe procesverbali i fundit i jep Edi Ramës postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. U bëj thirrje që qetësisht të arrijnë të kuptojnë se Partia Socialiste e ka të firmosur fitoren edhe nga demokratët edhe nga socialistët, kemi edhe tabelat përmbledhëse për të cilat shpresoj që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendim sa më të shpejtë”, deklaroi Majko.
Më tej ai theksoi se, si të majtë dhe të djathtë janë të lodhur dhe se ka ardhur koha ti jepet fund lojërave të fjalëve, pasi rezultatet janë firmosur nga komisionerët socialistë e demokratë.
Sakaq ai i bëri thirrje Partisë Demokratike që së bashku me kandidatin e saj të respektojë firmat e komisionerëve të tyre.
Në përfundim ai u bëri thirrje edhe qytetarëve që të presin qetësisht rezultatin se pas këtyre zgjedhjeve tha ai e nesëmërja do jetë më e bukur se e sotmja.
a.y/NOA