English

“Requiem for Kosova” merr çmimin kryesor në “Johstown Film Festival”

Prishtinë, 15 maj, NOA - Filmi “Requiem for Kosova” është shpallur filmi më i mirë në edicionin e gjashtë të festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër “Johstown Film Festival”, i cili mbahet në Pensilvani.

Aktori Mentor Zymberaj ka thënë se ky çmim është dëshmi e radhës për suksesin e filmit.

“Ky është çmimi i katërt me radhë që merr filmi dhe është shumë e rëndësishme për ne dhe Kosovën në përgjithësi, duke qenë se filmi ka një temë origjinale dhe trupa përbëhet nga aktorë kosovarë”, ka thënë Zymberaj, teksa ka shtuar se “Requiem ...” nuk do të ndalet me kaq. “Kemi ftesa edhe për festivale të tjera dhe mendoj se suksesi i këtij filmi nuk do të mbetet me kaq”, ka thënë ai.

Filmi me regji të Dhimitri Ismailajt shtjellon rrëfimin për Kosovën e pasluftës, vë në pah protagonisten 7-vjeçare e cila beson në përralla dhe e bind veten se mund të ribashkohet me nënën e saj të vdekur. “Requiem...” është realizuar nga produksioni amerikan “Dyrrahium Production” dhe shtëpia teatrore filmike “AKT” nga Kosova. Në film luajnë aktorët: Blerta Syla, Bislim Muqaj, Mentor Zymberaj, Ardiana Morina, Kaona Sylejmani etj.

Filmi, në maj të vitit të kaluar është prezantuar në Festivalin e Filmit në Cannes, në kuadër të këndit për filmat e shkurtër.

Festivali ndërkombëtar i filmit “Johstown Film Festival” është themeluar në vitin 2006 nga “Johnstown Area Heritage Association” dhe mbahet me qëllim që t’i inkurajojë regjisorët e rinj.

NOA

KOMENTE