English

Shtohet kriza e emigrantëve, mbi 1000 njerëz nga Afrika mbërrijnë në Itali

Itali, 15 maj, NOA - Më shumë se një mijë njerëz janë larguar dje dhe sot nga Afrika Veriore dhe kanë mbërritur në brigjet e Italisë, duke acaruar edhe më tej krizën e refugjatëve, të shkaktuar nga trazirat në Tunizi dhe Libi.

Zyrtarët thonë se tetë anije me 1300 njerëz mbërritën në ishullin italian të Lampeduzës. Shumë nga refugjatët janë punëtorë sezonalë nga Afrika nënsahariane, si Senegali dhe Somalia.

Lampeduza, një nga pikat më të afërta të territorit italian nga Afrika, është bërë qendër e fluksit të njerëzve që largohen nga Afrika e Veriut.

Më shumë se 35 mijë emigrantë kanë mbërritur në brigjet e Lampeduzës dhe ishujve të tjerë italianë që nga fillimi i vitit. Shumica kanë ardhur nga Tunizia, megjithëse vala e refugjatëve është pakësuar kohët e fundit, si rezultat i një marrëveshjeje mes Italisë dhe Tunizisë.

Kriza e refugjatëve ka nxitur organin ekzekutiv të Bashkimit Evropian të propozojë një plan të përkohshëm për rivendosjen kontrollit kufitar mes vendeve të Bashkimit Evropian në raste të veçanta.

NOA

KOMENTE