Tiranë, 14 maj 2011, NOA- Edhe pse për afro një orë plotësohen 24 orë nga numërimi i fletës së fundit të kutisë së fundit të votimit, qytetarët e Tiranës nuk e dinë ende se cili është kryebashkiaku i tyre.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama pretendon se fitorja i takon atij, pasi procesverbali i KZAZ-së numër 49, e nxori me 10 vota në avantazh.
Ndërkaq kandidati i maxhorancës Lulzim Basha pasditen e djeshme shprehu bindjen se rezultati i tij ishte pozitiv, duke theksuar se këtë e pret zyrtarisht edhe nga vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Por duket se as dita e sotme nuk do u japë përgjigje qytetarëve të Tiranës dhe as atyre të gjithë Shqipërisë, të cilët gjatë ditëve të fundit i kanë drejtuar sytë drejt kryeqytetit, për të parë se kujt kampi do i përkasë stacioni i fundit i betejës së 8 majit për kryebashkiak.
Ditën e sotme kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani deklaroi se shpallja e rezultatit për bashkinë e Tiranës bëhet 48 orë pas verifikimit të tabelave përmbledhëse të KZAZ-ve dhe sipas tij, 48-orëshi fillon pas marrjes së tabelës së fundit nga KZAZ-të, çka sipas tij n këtë institucion vetëm gjysma e tabelave kanë mbërritur.
E gjithë kjo situatë duket se do i lerë sërish shqiptarët, apo simpatizantët e Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike të festojnë në zbrazëti, pasi vula e KQZ do ende kohë që të hidhet.
a.y/NOA