Gjirokastër, 15 maj, NOA – Një punonjës i Ministrisë së Brendshme është arrestuar në Gjirokastër, pasi ju gjet në makinën me të cilën udhëtonte 75 kilogram hashash. Oficeri i arrestuar është Ervin Hysa, 30 vjeç lindur dhe banues në fshatin Ndroq, në Tiranë. Hyska punonte si inspektor në Repartin e Sigurisë së Brendshme dhe Ceremonialeve pranë Ministrisë së Brendshme.
Pas sinjalizimit që u është bërë forcave të policisë për kalimin e një automjetit me lëndë narkotike, është bërë dhe plani i masave dhe ngritja e postblloqeve. Hyska është ndaluar sot në orën 02:30 në vendin e quajtur Viroi në Gjirokastër. Ai ka qenë në drejtimin e një automjetin Audi Q7, me targa TR 42 20 T.
Pas ndalimit, policia ka bërë kontrollin në mjetin e kolegut të tyre dhe ka gjetur, në bagazh 9 pako të mëdha. Pakot ishin në formë katrore dhe të mbështjella me letër natriban dhe brenda tyre kishte lëndë narkotike Mariuanë.
Nga kontrolli i mëtejshëm në vendin ku mbahet goma rezervë u konstatuan edhe dy pako të tjera me madhësi të ndryshme, të mbështjella me letër natriban.
Në total lënda narkotike që kishte Ervin Hysa në makinën e tij, Audi Q7 ishte 75 Kilogramë.
Pas hetimeve u verifikua se oficeri i policisë e kishte blerë lëndën narkotike në Lazarat dhe do ta transportonte në drejtim të Tiranës
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan, lënda narkotike, automjeti Audi Q7, si dhe arma e zjarrit pistoletë, tip “Beretë”.
Operacioni i zhvilluar orët e para të mëngjesit të sotëm në Gjirokastër është zhvilluar nga Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Ndërkohë që punohet për të zbardhur plotësisht këtë trafik të lëndëve narkotike.
a.k/NOA