Firence, 15 maj 2011, NOA - Pas një ekspedite dyjavore studiuesit italianë janë të mendimit se kanë zbuluar varrin e Liza Gerardinit, gruas së famshme, që pozoi për Leonardo da Vinçin, në pikturën e famshme të Mona Lizës.
Vendi ku është varrosur Liza Gerardini ndodhet në një manastir të braktisur në Firence. Për të arritur në këtë zbulim studiuesit përdorën radarë të depërtueshëm edhe nën tokë, harta dhe dokumente të ndryshëm.
Udhëheqës i kësaj ekspedite është studiuesi italian Silvio Vinsenti, i cili beson se gruaja që pozoi në portretin e Mona Lizës është Liza Gerardini.
Gërmimet e nëndheshme u zhvilluan në manastirin e Shën Ursulës në Firence.
“Për pak pak ditë do të mbërrijmë edhe në vendin e saktë ku ndodhet varri dhe më pas ta hapim atë”, është shprehur Vinsenti.
Qëllimi i ekspeditës është që pasi të gjenden eshtrat e “Mona Lizës”, studiuesit të bëjnë krahasimin e ADN-së me atë të fëmijëve të saj, të cilët gjenden të varrosur po në një kishë në Firence.
Më pas studiuesit do të përpiqen të konfigurojnë fytyrën e gruas së famshme për të krahasuar nëse është apo jo e ngjashme me portretin e Mona Lizës së Leonardo da Vinçit.
mit/NOA