English

3 ambasadorët heshtin pas takimit, ia lënë përgjigjen KQZ-së

Tiranë, 16 maj 2011, NOA- Pak minuta më parë ka përfunduar takimi i ambasadorëve ndërkombëtarë të akredituar në Shqipëri me krerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sequi, ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE-së Eugen Wolfarth, pasi i kanë përcjellë mesazhin apo këshillat e tyre, për mënyrën se si do të vijojë punën KQZ, kanë heshtur duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat, por kanë preferuar që këtë përgjegjësi t’ia lënë këtij institucioni.

Takimi i cili zgjati më shumë se një orë, u zhvillua në mungesë të mediave, vetëm me kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani dhe me nënkryetaren e këtij komisioni Dëshira Subashi.

Mbledhja e KQZ-së e lajmëruar se do të mblidhej në orën 18.00 sapo ka filluar për shkak të zgjatjes së këtij takimi, ku pritet të shqyrtohen tabelat përmbyllëse të gjithë minibashkive të kryeqytetit, nga ku pritet të dalë edhe kryebashkiaku i ri.

Mendohet se tre diplomatët kanë këshilluar dy drejtuesit e institucionit që ti japin drejtim kësaj zvarritje të shpalljes së vendimit të fituesit të Tiranës si dhe për mënyrën se si KQZ po operon në dhënien e vendimeve të saj.

Gjithsesi zyrtarisht do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ai që do u japë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve të kryeqytetasve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë mësuar emrin e çdo fituesi për çdo bashki e komunë, përveç bashkisë më të madhe, metropolit të Shqipërisë, Tiranës.

a.y/NOA

KOMENTE