Tiranë, 16 maj 2011, NOA – Lideri demokrat Sali Berisha shprehu mirënjohjen ndaj popullit që në zgjedhjet vendore të 8 majit i dha koalicionit të mazhorancës “Aleanca për Qytetarin”, 140 000 vota më shumë se koalicionit opozitar, që ai e quajti “Fajin e ka Saliu”. Nga selia blu ku është stacionuar këtë javë postzgjedhore, kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se vota plebishitare e 8 majit është vlerësim i popullit për modelin ekonomik të qeverisë që ai drejton, që bëri që Shqipëria të kryesojë për tre vite radhazi zhvillimin ekonomik në Europë, modelin që rriti pagat e pensionet në kulmin e krizës financiare, dhe që ia doli të dyfishojë të ardhurat.
“Ky është vlerësimi që qytetarët shqiptarë i bënë reformave historike, arritjeve të këtyre reformave, projekteve të mëdha në infrastrukturë”, tha Berisha.
Ai shprehu mirënjohjen që Tirana u gdhi blu, pasi sikundër tha kreu i demokratëve në kryeqytet kanë fituar kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, në 7 minibashki në kryeqytet.
Ai theksoi se kandidati për kryebashkiak i kësaj aleance, Lulzim Basha ia doli të fitojë në këtë garë falë fushatës së tij të qytetëruar.
Kryeministri Berisha garantoi sakaq se ka ende shumë më tepër të bërë, në mënyrë që Shqipëria të ecë me hapa të sigurt drejt destinacionit evropian.
“Shqiptarët janë komb që mbështesin më shumë se çdo komb tjetër integrimin në Europë. Ndaj dhe unë i falenderoj të gjithë për këtë plebishit popullor pro reformave të qeverisë”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij 140 000 vota përkthehen në 14 deputetë të standardit të grupit të mazhorancës.
“Kjo është një energji e madhe për reformat e ardhshme, inkurajim për reforma edhe më të mëdha. Qytetarët votuan në këtë fushatë projektin e madh “Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017”, tha shefi i selisë blu.
Ai siguroi sakaq se qeveria e tij do i përvishet shpateve të maleve, luginave, për ta shndërruar Shqipërinë, në kopshtin më të madh të Europës.
mit/NOA