English

Debate në KQZ për 2 QV në Poliçan, Kosovrasti: Të rinumërohen votat

Tiranë, 16 maj 2011, NOA – Në mbledhjen e sotme të KQZ-së ku po shqyrtohen ankesat e partive politike në zona të ndryshme të vendit, pati debate edhe ankesën për mosfirmosjen e procesverbalit të dy qendrave të votimit në Poliçan, ku garën për kryetar bashkie e fitoi kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” Adriatik Zotkaj.

Duke iu referuar faktit se përfaqësuesit e PS-së në KZAZ-në e Poliçanit deklaruan në KQZ se kanë dokumente origjinale për këtë zonë të Poliçanit, përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Ylli Manjani theksoi se është e mundur që Partia Socialiste të ketë vjedhur dokumentet origjinale.

Sipas Manjanit ato dokumente janë plotësuar në selinë e Partisë Socialiste.

Këtu Manjani bëri me dije se “në rast se Adriatik Zotkaj e ka fituar mandatin le ta gëzojë, porse ai theksoi se është e paqartë mosfirmosja e procesverbalit nga komisionerët e PD-së dhe LSI-së”.

Por, përfaqësuesi i demokratëve në KQZ, Njazi Kosovrasti nënvizoi se në këtë zonë në Poliçan gjithçka është zhvilluar nën presion.

“Këtu kemi edhe rastin e një dhune fizike të ushtruar nga drejtuesit e bashkisë së Poliçanit. Nuk më çudit fakti që të gjendur nën presion numëruesit kanë dalë nga qendra e numërimit dhe pastaj po nën presion kanë hyrë për të numëruar votat”, tha Kosovrasti.

Ai kërkoi që për dy qendrat e votimit në Poliçan, që janë të pafirmosura nga përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së votat të rinumërohen.

Porse, përfaqësuesi i socialistëve në KQZ, Genci Gjonçaj e cilësoi punën e KZAZ-së në Poliçan si shumë të rregullt, duke nënvizuar se në procesverbal është e dukshme firma e 7 anëtarëve të komisionit.

mit/NOA

KOMENTE