Tiranë, 16 maj 2011, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se zgjedhjet vendore të 8 majit ishin zgjedhje politike. Në një konferencë për shtyp në krah të kandidatëve fitues në bashkitë e vendit, kryesocialisti Rama deklaroi se askush nuk do të mundet të përmbysë dot rezultatin për Tiranën.
“Askush nuk mund ta përmbysë rezultatin në tavolinë, vendim ky që do të çonte vendin në një rrugë qorre me të tatëpjetë të pakthyeshme”, tha lideri i opozitës Edi Rama, që pret të shpallet fitues për të katërtin mandat në Tiranë.
Kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” për bashkinë e Tiranës Edi Rama bëri thirrje për moszvarritjen e rezultatit për kryeqytetin, duke nënvizuar se beteja në Tiranë u vëzhgua live nga miliona sy shqiptarësh, por ishte edhe në dritën e syve të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Kreu i selisë rozë e cilësoi fitoren e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” një fitore historike, që sipas tij duhet të shërbejë si frymëzim për të punuar për qytetarët.
“Zgjedhësit në 8 maj na ngarkuan të qeverisim bashkitë më të mëdha në këtë mandat të ri”, theksoi Rama.
Ai ripërsëriti se për koalicionin që drejton nuk ka qytetar rozë, apo qytetarë blu.
Rama nënvizoi se fuqia e popullit me votën e 8 majit u provua më e madhe se ajo e pushtetit.
Rama e cilësoi si një vlerë të paçmuar për koalicionin votëbesimin e bashkive më të mëdha të vendit.
Këtu ai ripërsëriti se qytetarët kanë dhënë mesazhin me votë kundër pushtetit.
Ai premtoi se me marrjen e mandatit të gjithë kandidatët e koalicionit “aleanca për të Ardhmen” do të punojnë për të mos zhgënjyer asnjë zgjedhës.
mit/NOA