English

Grabitet me dhunë një kambist në Tiranë, i marrin 6 mijë USD

Tiranë, 16 Maj 2011 NOA – Një grabitje me dhunë sapo ka ndodhur në Tiranë. Viktimë i plaçkitjes ka mbetur një burrë në moshë të thyer i cili prej vitesh punon si kambist në tregun e lirë valutor që ndodhet përbri Bankës së Shqipërisë.

Ngjarja ndodhi sonte në mbrëmje kur Odise K., 61 vjeç, me banim në “Kinostudio”, është sulmuar nga dy persona të cilët i morën atij të gjitha paratë që kishte me vete, 600 mijë lekë të rinj (gjashtë mijë USD).

Një burim policor në vendngjarje, i konfirmoi agjencisë NOA se i dëmtuari ka njoftuar policinë duke kërkuar ndihmë dhe ka treguar se autorët ishin dy djem të rinj.

I dëmtuari tha se ndodhej në një rrugicë pranë Medresesë, jo larg shkollës “Partizani” teksa shkonte në këmbë për në shtëpinë e tij në Kinostudio, kur iu zu pritë në rrugën e errët nga dy djem të rinj.

Agresorët e kanë qëlluar disa herë dhunshëm 61-vjeçarin dhe më pas i kanë marrë çantën me para duke vrapuar për në drejtim të paditur.

Policia thotë se ka nisur kërkimet për kapjen e autorëve por për identifikimin e tyre paraqiten vështirësi pasi rruga ku u zu prita ishte e pandriçuar dhe i dëmtuari kishte pak mundësi të shquante fytyrat e tyre.

e.t/NOA

KOMENTE