Tiranë, 16 maj 2011, NOA- Harta elektorale e kryeqytetit të paktën në nëntë prej minibashkive ku ka përfunduar numërimi dominohet nga Partia Demokratike.
Në minibashkinë numër 1 ku ka përfunduar edhe numërimi i votave është rikonfirmuar si fituese kandidatja e “Aleancës për të ardhmen”, Lindita Nikolla duke sfiduar kandidatin e djathtë Agron Seseri.
Edhe njësia numër 2 është fituar nga koalicioni i djathtë, ku ka kryesuar i propozuari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Elez Gjoza, kundër atij të koalicionit të majtë Artemon Cukalla.
Në njësinë bashkiake numër 3, Ilir Kokona i “Aleancës për qytetarin” është rizgjedhur nga qytetarët duke lënë mbas kundërshtarin e tij Enver Sulollari.
Hysen Xhura është zgjedhur si drejtues për katër vitet e ardhshme nga banorët e njësisë numër 4 duke lënë mbas kandidatin socialist Vahit Kalaja.
Në njësinë bashkiake numër 6 në kryeqytet ka dominuar kandidati i opozitës Krenar Cenollari përkundër Luzhiana Abazaj të koalicionit të djathtë.
Edhe njësia nur 7 është fituar nga socialistët ku Erion Koka ka korrur fitore ndaj rivalit të djathtë Krenar Aliahmeti.
Blend Fuga i “Aleancës për qytetarin” është zgjedhur për drejtimin e minibashkisë numër 4 në kryeqytet, duke lënë mbas kandidaten socialiste Enada Alikaj.
Po nga koalicioni i djathtë është fituar edhe minibashkia numër 11 ku Haki Mustafa ka mundur kandidatin e majtë Naim Asllani.
Sërish shihet zvarritje i numërimit të votave në dy qendra, bëhet fjalë për njësinë bashkiake numër 9 dhe atë numër 5, e cila gjatë këtij procesi është cilësuar si “molla e sherrit”, mes të dyja kampeve, për shkak të vonesave.
Ndërkaq në njësinë numër 9 kryeson kandidati demokrat Indrit Fortuzi, përkundër atij socialist Armond Halebi.
Harta tregon me të kuqe njësitë e marra nga socialistët ndërsa me blu, ato të marra nga demokratët, zona gri është ajo pjesë e kryeqytetit ku nuk ka përfunduar ende numërimi i votave.
a.y/NOA