English

Haxhinasto: Shqipëria mbështet reformën e Këshillit të Sigurimit

Romë, 16 maj 2011, NOA- Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë ditës së sotme me ftesë të homologut italian Franko Fratini, mori pjesë në takimin ndërkombëtar mbi “Qeverisjen globale dhe Reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, të mbajtur në Romë.

Mësohet se takimi u fokusua në nevojën e reformimit të institucioneve të OKB-së për t’iu përgjigjur realiteteve të reja ndërkombëtare, një bote në ndryshim, më shumë e ndërvarur dhe më komplekse.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Ministri i Jashtëm Haxhinasto, e cilësoi reformën e Këshillit të Sigurimit si një domosdoshmëri.

Më tej kreu i diplomacisë shqiptare deklaroi se, Shqipëria mbështet reformën e Këshillit të Sigurimit, e cila do të sjellë rritjen e efektivitetit të tij dhe një përfaqësim sa më të drejtë të vendeve apo grupeve rajonale.

Në vijim Haxhinasto kërkoi që vendet e Europës Juglindore të kenë një vend shtesë, në rastin e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit me vende jo të përhershme.

“Reforma e Këshillit të Sigurimit duhet të kalojë nga faza e paraqitjes së propozimeve, në atë të formulimit të alternativave, që pranohen dhe mbështeten me konsensusin më të gjerë nga vendet anëtare të OKB-së. Ndërsa modalitetet e procedurave të Këshillit të Sigurimit duhet të reformohen, me qëllim që ai të jetë më transparent, demokratik e

përfaqësues, që t'i shërbejë më mirë paqes, stabilitetit në botë si dhe përballimit

të sfidave të reja”, u shpreh Haxhinasto.

Gjatë kësaj vizite, Ministri i Jashtëm shqiptar, zhvilloi takime dypalëshe me disa homologë e kryetarë delegacionesh të vendeve të rajonit, të Meksikës, Emirateve të Bashkuara Arabe, Kirkizstanit, etj. Ndër të tjera Haxhinasto zhvilloi një takim edhe me ministrin italian Franko Fratini.

Në aktivitetin e mbajtur gjatë ditës së sotme morën pjesë mbi 100 përfaqësues të vendeve anëtare të OKB-së, përfaqësues të organizatave të rëndësishme rajonale, si dhe Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

a.y/NOA

KOMENTE