Tiranë, 16 maj 2011, NOA- (Update) Në kundërshtim nga ç’ishte parashikuar edhe në mbledhjen e mbrëmjes së sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk i ka marrë në shqyrtim tabelat e rezultateve për kandidatët garues për Bashkinë e Tiranës.
Arsyeja e shtyrjes së kësaj mbledhje nga kryetari i komisionit Arben Ristani, ishte fakti i verifikimit të të dhënave të ardhura nga tabelat e të dhënave të KZAZ-ve me ato të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëse ka probleme në rakordim shifrash, duke u parë të 485 rezultatet e tabelave të 485 kutive të votimit të kryeqytetit.
Ndërkaq nga ana e socialistëve kërkohet në vijimësi shpallja e fituesit nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve, pasi sipas tyre, kandidati për bashkinë e Turanës Edi Rama, sipas procesverbaleve të KZAZ-ve e ka nxjerrë atë fitues me dhjetë vota para.
Por pavarësisht kësaj, duket se nga ana e komisionerëve të KQZ-së, shprehet vendosmëria për përmbylljen me korrektësi të procesit të shpalljes së kandidatit fitues.
Kandidati i maxhorancës Lulzim Basha, pavarësisht bindjes së tij në fitore është shprehur i vendosur për të pritur rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi siç deklaroi ai vetëm atëherë kryeqyteti do të ketë zyrtarisht një kryetar bashkie.
Po për këtë çështje pasditen e sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbërritën edhe ambasadorët ndërkombëtarë të akredituar në Shqipëri ku zhvilluan edhe një takim me dyer të mbyllura me krerët e tij.
Ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sequi, ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE-së Eugen Wollfarth, pasi kanë përcjellë mesazhin apo këshillat e tyre, për mënyrën se si do të vijojë punën KQZ, kanë heshtur duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat, por kanë preferuar që këtë përgjegjësi t’ia lënë këtij institucioni.
Sakaq sërish edhe për pak kohë, kampi socialist dhe ai demokrat do të qëndrojnë nën ankthin e pritjes së rezultatit, ndërsa simpatizantët e Partisë Socialiste e asaj Demokratike prej disa ditësh po festojnë në zbrazëti për kryebashkiakun e pashpallur dhe rezultatin e munguar.
Megjithë rezultatin e ngushtë, vetëm me një grusht votash, çka mendohej se do e bënte më të lehtë shpalljen e rezultatit të fituesit, duket se ka qenë pikërisht ai grusht fletësh votimi që ka ngjallur kontestime në radhët e politikës.
a.y/NOA