Tiranë, 16 maj 2011, NOA – Shefi i selisë blu, Sali Berisha deklaroi se Tirana në zgjedhjet vendore të 8 majit votoi blu. “Tirana u gdhi blu dhe ky është një shpërblim i madh. U jam mirënjohës qytetarëve të Tiranës, pasi 7 minibashki u fituan nga "Aleanca për Qytetarin”, deklaroi kryeministri.
Ai e cilësoi këtë një fitore të shkëlqyer e të paprecedentë në këto 15 vitet e fundit.
Këtë fitore në kryeqytet lideri demokrat ia atribuoi kandidatit Lulzim Basha, që e udhëhoqi fushatën e tij në shkallën më të lartë të qytetarisë.
Duke anashkaluar komentin për humbjen e pjesës më të madhe të bashkive të vendit, që u ngjyrosën me rozë pas zgjedhjeve të 8 majit, Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se qytetarët e Tiranës i dhanë votën e tyre koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Ndërkohë që Partia Socialiste akuzon komisionerët demokratë se po bllokojnë shpalljen e rezultatit në Tiranë, Berisha ritheksoi se “KQZ nuk mund ta shpallë rezultatin pa nxjerrë të gjitha rezultatet e tabelave të KZAZ-ve”.
Ai sqaroi se janë komisionerët e PS-së në KZAZ-në 49, të cilët po bllokojnë nxjerrjen e tabelës përfundimtare e dorazi edhe po mbajnë peng rezultatin për bashkinë e kryeqytetit.
Por, këtu kreu i PD-së tha se Basha e fitoi Tiranën dhe ai do të punojë për zhvillimin e saj bashkë me kryetarët e njësive fituese.
I pyetur nëse ishte kjo një shpallje e kryebashkiakut fitues, Berisha shpjegoi se nuk ka shpallur asnjë fitues, porse po referon vetëm rezultatet e KZAZ-ve, të cilat në ligjin elektoral janë autoriteti që shpall fituesin për minibashkinë.
Por, Berisha sqaroi se kryebashkiakun e Tiranës do ta shpallë vetëm KQZ.
mit/NOA