Tiranë, 16 maj 2011, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi se LSI ka arritur rezultatin më të mirë të arritur ndonjëherë, duke marrë në rang vendi afro 120 mijë vota. Në të parën dalje publike pas zgjedhjeve vendore të 8 majit shefi i LSI-së falenderoi qytetarët shqiptarë për votëbesimin që i dhanë partisë së tij.
“Dëshiroj në mënyrë të veçantë të falenderoj ata që votuan LSI-në. Me rezultatet paraprake numri i votuesve i ka kaluar 16 mijë dhe po shkon drejt numrit 120 mijë”, theksoi Meta.
Ai nënvizoi se edhe rezultati në Tiranë i LSI-së është impresionues, pasi sikundër tha Meta, kjo parti ka marrë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, më se 40 vota më tepër.
“Nuk u ndala në kryeqytet se është Tirana dhe se rezultati i LSI në Tiranë është impresionues, rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë, plot 200 mijë vota më shumë se kur ishim në koalicion me PS-në dhe 2 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e mëparshme”, tha Meta, që sipas tij përcakton jo votat në koalicion, por votat e LSI-së.
Këtu kreu i LSI-së falenderoi qytetarët e Tiranës, duke thënë se zemrat e tyre rrahin për LSI-në.
Sipas Metës deri mbrëmë janë numëruar plot 21 mijë vota në favor të kësaj partie në Tiranë.
Lideri i LSI-së Ilir Meta vlerësoi gjithashtu se zgjedhjet vendore të 8 majit plotësuan në mënyrë absolute standardet.
Por, ai nënvizoi se “Standardet e qytetarëve ishin më të mira se standardet e disa politikanëve shqiptarë”.
Ai falenderoi këtu edhe komisionerët dhe vëzhguesit që u angazhuan në procesin zgjedhor të 8 majit dhe në atë të numërimit të votave.
mit/NOA