English

Policia: Vritet për mosshlyerjen e qerasë

Tiranë, 16 maj 2011, NOA – Mosshlyerja e një pagese të qerasë nga qiraxhiu Sami Kapllani ka bërë që pronari i banesës ta godasë me thikë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ky motiv dyshohet nga Policia e Tiranës të jetë argumenti i autorit për vrasjen e 57-vjeçarit Sami Kapllani.

Policia flet për ngjarjen duke theksuar se viktima jetonte me qera në banesën e autorit të vrasjes, që është 61-vjeçari Ylvi Kodra.

Sipas policisë ngjarja ndodhi sot rreth orës 12.15’ pas mesditës në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë, ku Sami Kapllani u godit me thikë nga Ylvi Kodra.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme, policia arriti të identifikojë e të kapë në kohë autorin e vrasjes, Ylvi Kodra, që banon në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë.

Policia informoi se autori, u kap në flagrancë së bashku me armën e ftohtë të krimit, në tentativë për t’u larguar nga banesa, pak momente pasi kishte kryer krimin.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje, aktualisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor, të cilët po merren me shoqërimin e dëshmitarëve në vendngjarje dhe marrjen në pyetje të tyre.

Ndaj Ylvi Kodrës po merret masa e arrestit me burg, ndërsa është nën akuzë për vrasje me dashje.

mit/NOA

KOMENTE