English

Shpallja e kryebashkiakut, Arvizu pritet të takojë Ristanin

Tiranë, 16 maj 2011, NOA – Ndërkohë që numërimi i votave është mbyllur dhe beteja për Tiranën ende nuk ka një fitues, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu pritet të takojë këtë pasdite kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani.

Burime pranë KQZ-së bëjnë me dije se ambasadori Arvizu pritet të takojë kryekomisionerin Ristani në orën 17.00 në mjediset e KQZ-së.

Ky takim ishte i pritshëm, duke risjellë në vëmendje se plot 8 ditë pas procesit zgjedhor të 8 majit, madje edhe dy ditë pas numërimit të votës së fundit në KZAZ-në nr. 49 në Tiranë, ende nuk është shpallur kryebashkiaku i Tiranës.

Pritet që ambasadori amerikan ashtu siç ndoqi nga afër numërimin e votave në njësinë 5, të ndërhyjë për përshpejtimin e procesit.

Ditën e diel, pak përpara nisjes së mbledhjes së KQZ-së ishte Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi që zhvilloi një takim me kreun e KQZ-së Ristani.

Këto takime bëhet edhe më kërkuese, për shkak se Partia Socialiste i bëri thirrje KQZ-së të shpallë pa humbur kohë rezultatin, ndërsa PD i kërkon rishqyrtimin e tabelave të KZAZ-ve me procesverbalet e Qendrave të Votimit, që sipas saj mbajnë peng mosnxjerrjen e rezultatit.

Lidhur me tabelat, lideri demokrat Sali Berisha akuzoi sot komisionerët socialistë në KZAZ-në nr. 49 se po bllokojnë rezultatin.

Por, tashmë edhe tabela e rezultatit të KZAZ-së nr. 49 ka mbërritur në KQZ, por pa konsensusin e komisionerëve të PD-së e LSI-së.

Gjithashtu kjo vonesë e shpalljes së rezultatit erdhi edhe për shkak të kërkesës së PD-së për marrjen në shqyrtim të fletëve të kontestuara, të cilat i adresoheshin kryebashkiakut, porse ishin hedhur gabimisht nga votuesit në kutinë e kryetarit të minibashkisë.

mit/NOA

KOMENTE