English

Zvarritja skandaloze

Nga Edi Rama

8 maji u provua si dita e shprehjes së vullnetit të një numri qytetarësh që asnjëherë më parë s’kishin marrë pjesë në një numër kaq të madh në një zgjedhje vendore. Sepse zgjedhjet e 8 majit kishin një përmbajtje të qartë politike dhe përveç zgjedhjes të përfaqësuesve vendorë qytetarët u angazhuan në përcaktimin e një drejtimi për vetë politikën. Ne i fituam këto zgjedhje pas një beteje thellësisht të pabarabartë ku fuqia e popullit u provua të ishte më e madhe se stërfuqia e pushtetit të frikës, parasë, medias pro

qeveritare dhe një sistemi të tërë të deformimesh të votës. Kjo fitore është për ne një fitore historike, e cila pikërisht sepse është e jashtëzakonshme duhet të na shërbejë jo vetëm si burim frymëzimi, por edhe si burim reflektimi për mënyrën sesi do ta përshkojmë rrugën e hapur të së ardhmes.

Zgjedhësit e 8 majit na kanë ngarkuar të qeverisim në nivelin vendor shumicën dërrmuese të shqiptarëve, ndërkohë që kundërshtarët tanë do të qeverisin pakicën, por njësoj të rëndësishme. Unë premtoj se këtë mandat të fortë ne do ta përdorim me të gjithë forcën e pasionit tonë politik për të përmirësuar jetën e njerëzve të zakonshëm pa dallim, duke kërkuar në radhë të parë nga vetja e pastaj nga kundërshtarët një cilësi të re të

politikbërjes. Ne do të punojmë me mish e me shpirt që asnjë votues i yni të mos zhgënjehet dhe asnjë qytetar që nuk na ka votuar të mos braktiset. Për ne s’ka qytetarë rozë e qytetarë blu, por ka vetëm qytetarë të barabartë në liritë e të drejtat e tyre kushtetuese ligjore, shoqërore.

Pakti ynë qytetar është një pakt për të gjithë e me të gjithë qytetarët pa dallim, pavarësisht sesi quhen, nga vijnë, ku besojnë, çfarë mendojnë, si shprehen apo për kë votojnë. Çdo pikë e paktit tonë qytetar është sot një detyrë shtëpie për çdo të zgjedhur të Aleancës për të Ardhmen në 8 maj. Si dhe një angazhim i patjetërsueshëm, prioritar, i politikës së Partisë Socialiste në parlament, në këshillat vendorë dhe kudo ku do debatohet për

jetën e njerëzve të zakonshëm.

Është e padiskutueshme se një prej vlerave të mëdha të fitores sonë është gjeografia e saj. Nga Tropoja në Konispol ne kemi marrë vota komunitetesh që sot janë në rrugën tonë të përbashkët për të shpëtuar prej kthetrave të varfërisë, papunësisë, padrejtësisë, pasigurisë, paligjshmërisë. Politika e bllokimeve, zvarritjeve, shkeljeve të autonomisë vendore është ndëshkuar pa asnjë mëdyshje nga qytetarët, por nga ana tjetër qytetarët kanë dhënë mesazhin e qartë të nevojës për mirëkuptim në funksion të interesave të tyre të përbashkëta dhe ne jemi gati ta kthejmë këtë mesazh në një vijë të qartë të sjelljes sonë politike me kundërshtarët. Qytetarët e thanë fjalën e tyre, Shqipëria nuk ka minuta dhe as shanse të tjera për të humbur. Çfarë ka shkuar në këtë proces zgjedhor mbetet objekt debati e reflektimi për secilin. Çfarë ka mbetur është domosdoshmëria për ti dhënë fund një zvarritje skandaloze të procesit këtu në Tiranë, e cila sigurisht që kurrë nuk mund ta ndryshojë dot rezultatin e parë nga të gjithë, po vetëm po dëmton e mund të dëmtojë edhe më shumë vetë procesin. Ata që kërkuan prej meje në mënyrë të përsëritur pranimin e rezultatit duhet ta bëjnë këtë me kurajo. Pas një beteje që ka mbaruar në fushën e vëzhguar nga miliona sy shqiptarësh dhe nga të gjithë sytë e përqendruar të komunitetit ndërkombëtar. Kurrë askush nuk mund ta përmbysë rezultatin në tavolinë, përmes rrugësh qorre që vetëm do fusnin vendin në një tatëpjetë shumë të rrezikshme. E ardhmja, jo e shkuara, e nesërmja, jo e djeshmja, çfarë na bashkon, jo çfarë na ndan, mirëkuptimi jo sherri, vendi ynë i përbashkët, jo sinoret e politikës së vjetër, duhet të ndriçojnë sot arsyen e kujtdo që merret me politikë. Shqipëria e shqiptarët meritojnë më shumë, shumë më shumë sesa një proces zgjedhor si ky që ka hyrë në agoninë artificiale të interesave të verbra politike.

Ne u premtojmë zgjedhësve tanë që do të bëjmë gjithçka është në dorën tonë për të mos e lejuar përsëritjen e kësaj torture të padenjë për një shoqëri të këtij shekulli. Tanimë jemi gati të ofrojmë pa asnjë rezervë kontributin tonë për ta kthyer këtë faqe të shëmtuar, përmes një reforme të thellë që do të garantojë zgjedhje përfundimisht të lira dhe të ndershme. Fitorja e zgjedhjeve aq më tepër një fitore e madhe si kjo e jona në 8 maj, duhet kuptuar vetëm si një shumëfishim përgjegjësish dhe angazhimesh. Ne jemi gati ti mbajmë të gjitha përgjegjësitë dhe ti përmbushim të gjitha angazhimet me të gjithë energjinë e jashtëzakonshme që na ka dhënë mbështetja spektakolare e shqiptarëve nga veriu në jug dhe të gjitha idetë dhe planet për të ardhmen për çdo komunitet që do të qeverisim sot e për të gjithë Shqipërinë që pa asnjë dyshim do të qeverisim nesër.

KOMENTE
  • BIANCA23:03 - 16 Maj 2011
    URIME URIME URIME EDI RAMA NGA UNE ULJU POPULLIT NE GJUNJE E SHERBEJI SI DO AI TI KE FITUAR E NUK DISKUTOHET PRANDAJ SUKSESE FILLO PRA TI PUNE TE SHPETOJME NGA KJO SHUSHUNJE QE KA 20 VJET VEC GJAK THITH E PER VETE FRYHET E KENDON SI GJEL...........