Bukuresht, 17 maj, NOA - Në kuadër të rritjes së nivelit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes të Rumanisë dhe Shqipërisë, gjatë datave 19-20 maj zv/ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto do të zhvillojë një vizitë në Bukuresht.
Me këtë rast, ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht, Sami Shiba, ka dhënë një intervistë ekskluzive për mediat rumune.
Shkëlqesia Juaj, si do t’i vlerësonit marrëdhëniet aktuale ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë?
Gjatë dhjetë viteve të fundit, unë kam trajtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera në rajon, mes të cilave Rumania zë një vend të rëndësishëm.
Rumania është vendi më i madh në Ballkan, qoftë gjeografikisht, por edhe në aspektin e numrave. Dhe si Shqipëria, ajo është anëtare e NATO-s.
Si një vend i Bashkimit Evropian, vendi juaj mbështet integrimin e shpejtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe Rumania është vlerësuar për kontributin që jep në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Unë dua të them se ndihem i nderuar të jem ambasadori i Republikës së Shqipërisë në një vend mik si Rumania, me të cilin kemi marrëdhënie historike të miqësisë, që mbështjellin raporte aktuale shumë-dimensionale.
Për më tepër, Presidenti i Rumanisë, dhe personat e tjerë që kam takuar, kanë konfirmuar se Rumania do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e theksuar Shqipërinë si një vend me të cilin ajo ka tashmë marrëdhënie shumë të mira dhe të lidhjeve historike të vjetra.
Në kontekstin e këtyre marrëdhënieve, dialogu politik është shumë i mirë. Ai kulmoi me një vizitë në Tiranë vitin e kaluar, të Presidentit të Rumanisë, Traian Basescu. Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, do zhvillojë një vizitë në Rumani gjatë datave 19-20 maj, ku do të hapen perspektiva të reja për forcimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit tonë në të gjitha nivelet.
Unë dua të them se mes dy vendeve tona janë nënshkruar të gjitha dokumentet e marrëdhënieve dypalëshe, duke përfshirë edhe Traktatin e Miqësisë.
Në këtë drejtim, një rol të rëndësishëm luan edhe komuniteti shqiptar në Rumani, i cili, sigurisht, është një urë në mes të dy vendeve. Shqipëria është e angazhuar për zgjerimin e këtyre marrëdhënieve, sidomos ekonomike, por edhe kontaktet institucionale midis strukturave tregtare dhe ekonomike, në mes të Dhomave të Tregtisë, duke përfshirë edhe organizimin e forumeve të biznesit.
Cili është mendimi juaj për politikën rajonale të Shqipërisë?
Shqipëria është një vend me një rol të rëndësishëm në sigurinë, paqen dhe prosperitetin në Ballkan, rajonin e Mesdheut dhe Evropës. Politika jonë e jashtme është e vendosur të rrisë këtë rol dhe të bëhet një faktor i rëndësishëm që ndikon në rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit politik, ekonomik rajonal. Shqipëria pritet të marrë dhe statusin e kandidatit të BE-së, duke siguruar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Zyrtarët e vendit tim janë të bindur se këtij qëllimi i shërben forcimi i marrëdhënieve me vendet fqinje, të cilat, nga ana tjetër, japin dhe një kontribut për paqen dhe sigurinë në rajon.
Kemi parasysh se shteti i ri i Kosovës është tashmë një faktor i paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë, me një perspektivë të qartë evropiane.
Shqipëria është e bindur se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm, i njohur tashmë nga 75 shtete dhe pritet të jetë i njohur edhe nga të tjerët.
Në këtë kontekst, Shqipëria ofron mbështetje të qëndrueshme për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe beson se çdo njohje e pavarësisë së saj, jep një kontribut real në rajon.
Tashmë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe pas miratimit nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të një rezolute konsensuale, kemi tendencën për të besuar se vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, do të gjejnë argumentet e nevojshme të marrin në konsideratë njohjen e saj.
Ne e dimë se një nga prioritetet e misionit tuaj është edhe turizmi shqiptar. Cilat janë mundësitë që u ofrohen turistëve për të vizituar vendet që ju sugjeroni?
Është e vërtetë se prioritet i punës sime dhe të stafit të ambasadës që unë drejtoj, është puna për të promovuar burimet kulturore dhe turistike që përmban Shqipëria. Përmend këtu edhe faktin se turizmi është një prioritet i qeverisë shqiptare. Shqipëria ka një klimë mesdhetare dhe peizazh të veçantë, ku bregdeti i saj me lagunat dhe gjiret që shtrihen mbi një gjatësi prej 450 km, janë disa tipare të tij. Ka një numër të konsiderueshëm të plazheve dhe vendpushimeve, me hapësira të mëdha të rërës, pishave, përgjatë bregdetit Adriatik dhe Jont, për shembull në Llogara, Dhërmi etj.
Turizmi malor është edhe ai një industri e qëndrueshme gjatë gjithë vitit.
Në veri të Alpeve Shqiptare, apo malet e Korçës, Krujës, Beratit, Elbasanit, ofrojnë mundësi të mëdha për të mbajtur turistë në dimër.
Unë do të doja të shtoja se Shqipëria, përveç vendndodhjes së saj gjeografike, klimës dhe bukurive natyrore, krenohet edhe me një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore. Ka rreth 2.000 monumente kulturore që mund të vizitohen nga turistët, siç janë edhe dy qytete të lashta, Berati dhe Gjirakastra, tani nën mbrojtjen e UNESCO-s. Apo parku Arkeologjik i Butrintit, që ndodhet në jug të Shqipërisë, duke u shfaqur në të gjitha guidat turistike të huaja, edhe ai nën mbrojtjen e UNESCO-s. Qytete të tilla si Durrësi, Shkodra, Tirana, Kruja, Korça, Elbasani dhe Vlora janë gjithashtu pika shumë interesante turistike, për shkak të karakteristikave kulturore dhe historike që përmbajnë.
Kurse Apolonia, Antigona dhe Voskopoja janë të njohura si qytete të lashta me potencial të madh historik dhe arkeologjik.
Për të zhvilluar industrinë e turizmit elitar në një mënyrë të qëndrueshme, qeveria shqiptare po punon intensivisht për të përmirësuar rrugët dhe infrastrukturën e turizmit, si dhe të sigurojë lehtësira për ata që dëshirojnë të vizitojnë dhe kalojnë pushimet e tyre këtu.
Nga ana tjetër, ata që dëshirojnë të investojnë në industrinë e turizmit në Shqipëri janë të siguruar me mjetet e duhura, pasi është krijuar një kuadër ligjor i favorshëm. Në një klasifikim të bërë nga CNN, Shqipëria renditet ndër dhjetë vendet e shpallura si destinacion turistik, e ndjekur nga Japonia në vendin e 7, dhe Bullgaria në vendin e 9.
Përktheu: Eglantina NASI